Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot udhëtoi drejt Francës, ku do të merr pjesë në Forumin e Paqes më 10-11 nëntor në Paris dhe në darkën shtetërore të shtruar nga presidenti Emmanuel Macron.
Gjatë vizitës dhe në margjina të Forumit, kryeministri Kurti do zhvillojë takime bilaterale me liderë, zyrtarë të lartë e përfaqësues shtetesh dhe institucionesh, sikurse me personalitete të shquara të arsimit, akademisë, artit e kulturës.
Ideja për organizimin e Forumit të Paqes u hodh në vitin 2017 nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Ambasadorëve, ku ai theksoi nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar multilateralizmin dhe për të ruajtur paqen.
Që nga viti 2018, Forumi i Paqes në Paris shërben si një hapësirë ku krerët e shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare punojnë së bashku me shoqërinë civile dhe sektorin privat për të krijuar forma të reja të veprimit kolektiv.
Çdo vit në Paris, gjatë muajit nëntor, Forumi mbledh së bashku aktorë të angazhuar në veprimin kolektiv qoftë shtete apo aktorë jo-shtetërorë për të diskutuar mbi zgjidhjet për qeverisjen globale.
