Lajme

Kurti uron nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kurti tha se rreth 266 mijë nxënës të klasave 1-12 u rikthyen sot në rreth 1 mijë shkolla amë dhe paralele të ndara në të gjithë vendin.

Ai uroi veçanërisht nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore, ndërsa falënderoi prindërit dhe mësimdhënësit për përkushtimin e tyre.

“1 Shtatori është ditë e fillimeve të reja dhe ribashkimit te dija, kujtimet dhe shoqëria. Rreth 1000 shkolla amë dhe paralele të tyre të ndara, hapën dyert sot për një vit të ri shkollor për rreth 266 mijë nxënës të klasave 1-12.

Edhe këtë shtator veçanërisht urojmë fëmijët që për herë të parë ulen në bankat shkollore, aty ku do të nxënë mësimet dhe shoqëritë e para, që do t’i përcjellin e kujtojnë tërë jetën. Urojmë prindërit që i shoqërojnë me shpresë e krenari dhe falënderojmë mësimdhënësit për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

Po punojmë vazhdimisht që arsimi të jetë cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndrrave, synimeve dhe potencialit të fëmijëve dhe rinisë sonë, andaj që zhvillon, ngrit dhe përparon vendin dhe shoqërinë tonë. Shkollat si institucione dhe mësimdhënëset e mësimdhënësit si autoritete le të angazhohen me zell që nga dita e parë për të dhënë mësime që tejkalojnë njësitë mësimore, të promovojnë kulturën e leximit, nxisin kureshtjen, pasionin e imagjinatën dhe rrisin synimet e fëmijëve për të ardhmen. Vit të mbarë, të suksesshëm e plot dije për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit tanë!”, ka shkruar në Facebook.

Të Ngjashme