Aktuale

Kush e filmoi Gysin dhe ua shpërndau medieve? AMP nis verifikimet për Policinë e Tiranës

TIRANË, 27 gusht 2026 — Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet lidhur me publikimin në media të fotografive të Ergys Agasit, pak pas arrestimit të tij në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.

Në fokus të verifikimeve është mënyra se si fotografitë, në të cilat fytyra e Agasit është e dallueshme, kanë dalë nga ambientet policore dhe kanë përfunduar në media.

Në pamjet e publikuara fillimisht nga autoritetet, identiteti i të arrestuarit ishte mbrojtur dhe fytyra e tij ishte e mbuluar. Më pas, në media dhe rrjetet sociale nisën të qarkullojnë fotografi të tjera, ku Agasi shfaqet qartë me pranga në duar, në automjetin e Policisë dhe në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

AMP verifikon burimin e fotografive

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton për të përcaktuar se kush i ka realizuar fotografitë, kush ka pasur akses tek ato dhe në çfarë rrethanash janë publikuar.

Në kuadër të verifikimeve pritet të shqyrtohet edhe mundësia që fotografitë të jenë realizuar nga punonjës të Policisë së Shtetit ose nga persona të tjerë që kanë pasur akses në automjetin dhe ambientet ku është mbajtur i arrestuari.

Në fokus janë veçanërisht punonjësit e Policisë së Tiranës që kanë pasur kontakt me Agasin gjatë procedurave të arrestimit dhe shoqërimit të tij.

Hetimi synon gjithashtu të përcaktojë nëse gjatë administrimit, ruajtjes apo shpërndarjes së këtyre materialeve janë shkelur rregullat për mbrojtjen dhe përpunimin e të dhënave personale të personave të arrestuar ose nën hetim.

Verifikimet e AMP-së do të synojnë të zbardhin të gjithë zinxhirin e publikimit të fotografive dhe përgjegjësinë e mundshme të personave që kanë pasur akses në to.

Të Ngjashme