Sali Berisha ka reaguar ashpër pas debatit në emisionin “Opinion” lidhur me emërimin e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si ajo u vendos në këtë detyrë. Berisha e lidh këtë emërim me një sërë pretendimesh për marrëdhëniet politike dhe institucionale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama, presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe gazetarin Baton Haxhiu.
Në reagimin e tij në Facebook, Berisha pretendon se Hyseni, pas largimit nga detyra në Kosovë, është emëruar në krye të SHISH-it nga ajo që ai e cilëson si një lidhje mes Ramës dhe Vuçiqit. Sipas Berishës, “patroni i përbashkët” i Ramës dhe Hysenit është Aleksandër Vuçiq, duke hedhur kështu një akuzë të drejtpërdrejtë mbi rrethanat e emërimit të saj.
Berisha përmend gjithashtu një udhëtim të Hysenit në Beograd pas emërimit në SHISH, për të cilin pretendon se ajo qëndroi atje për 10 ditë. Në të njëjtin reagim, ai i referohet edhe Baton Haxhiut, duke thënë se “rëndom flitet” se ai ka qenë “kumbar” i këtij emërimi, ndërsa shton se Haxhiu, për arsye ligjore, është i detyruar të deklarojë se nuk e ka takuar asnjëherë Hysenin, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë:
Duke ndjekur Opinionin
Miq, sonte në “Opinion”, drejtuesi i emisionit z. Blendi Fevziu, gjatë debatit kushtuar skandalit të shekullit rekordit më të zi në fushën e sigurisë në historinë e Shqipërisë, madje edhe të botës shtroi pyetjen: Kush e solli Vlora Hysenin?
Sa i zi është rekordi i arrestimit të saj, po kaq bizar, i paimagjinueshëm dhe unik në botë është edhe emërimi i saj në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, pas shkarkimit nga Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës nga detyra e zëvendësdrejtoreshës së Shërbimit Informativ të Kosovës.
Kjo nuk ka ndodhur kurrë dhe, si rregull, nuk mund të ndodhë! Por fakti është se kjo ka ndodhur me Vlora Hysenin!
Logjika e vetme e këtij akti është se Vlora Hyseni, pas shkarkimit nga detyra në Kosovë për shkak të akteve të saj, sipas mediave, për shkarkimin e bazës së të dhënave të shërbimit informativ të Kosovës dhe dorëzimin e tyre shërbimit inteligjent të Beogradit, u emërua drejtore e Shërbimit Informativ të Shqipërisë nga patroni i përbashkët i Edi Ramës dhe Vlora Hysenit, Aleksandër Vuçiç. Fill pas emërimit të saj, sipas burimeve të pakontestueshme, ajo fluturoi në Beograd ku kaloi 10 ditë. Në fakt, rëndom flitet se kumbar i këtij emërimi ka qenë Baton Haxhiu, i cili për arsye ligjore është i detyruar të betohet se nuk e ka takuar asnjëherë!
