Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar një ditë më parë në Shkallnur të Durrësit, ku pas një konflikti, 36-vjeçari Edison Gjuzi u godit me qytën e një pistolete nga Denis Tafili, i dyshuar si pjesë e grupit të Elvis Docit, i njohur si “Visi i Pojës”.
Sipas informacioneve, konflikti ka nisur fillimisht mes Gjuzit dhe efektivit të Policisë së Durrësit, Leonard Xhamollari, me detyrë ndihmësspecialist në Sallën Operative. Më pas, në përplasje është përfshirë edhe Denis Tafili, i cili rezulton i shpallur në kërkim nga GJKKO, me urdhër të SPAK-ut.
Tafili dyshohet se e ka goditur 36-vjeçarin me qytën e pistoletës. Në vendngjarje janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, ndërsa policia ka gjetur një gëzhojë, çka ka shtuar dyshimet se gjatë konfliktit është përdorur armë zjarri.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar efektivin Leonard Xhamollari, i cili në momentin e konfliktit ndodhej jashtë shërbimit. Ende nuk është përcaktuar se cili nga personat e përfshirë ka qëlluar me armë.
Pas reagimit të Policisë së Shtetit, gazetari Elton Qyno raporton se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e shërbimit të efektivit Xhamollari. Gjithashtu AMP po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar nëse efektivi ka favorizuar Denis Tafilin, i cili ishte në kërkim.
Denis Tafili është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai është kushëriri i Elvis Docit, i njohur me nofkën “Visi i Pojës”. SPAK ka kërkuar arrestimin e tij, duke e akuzuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
