Lajme

“Kushtetuta nuk kërkon 80 deputetë”/ Ramabaja kërkon ndryshim të qasjes për zgjedhjen e Presidentit

Profesori Sadri Ramabaja ka reaguar përmes një postimi në Facebook, lidhur me çështjen e procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke kundërshtuar interpretimin se për zhvillimin e procesit kërkohet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit. Ai ka argumentuar se një kusht i tillë nuk gjendet në tekstin e Kushtetutës, por është rezultat i një interpretimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Ramabajës, ky interpretim ka krijuar mundësi për bllokada institucionale përmes bojkotit parlamentar, duke i dhënë opozitës një mjet për ta penguar funksionimin e institucioneve.

Ai ka kërkuar që procesi i zgjedhjes së Presidentit të trajtohet mbi bazën e tekstit dhe frymës së Kushtetutës, duke paralajmëruar se çështja mund të rikthehet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Kushtetuta nuk kërkon 80 deputetë në sallë – këtë e kërkon vetëm një interpretim i Gjykatës Kushtetuese.

Në asnjë nen dhe në asnjë paragraf të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ekziston dispozita që e kushtëzon zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me praninë e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit. Ky nuk është standard kushtetues, por produkt i një interpretimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, i cili praktikisht i ka shtuar Kushtetutës një kusht që vetë ajo nuk e përmban.

Pasoja e këtij interpretimi është krijimi i një instrumenti bllokues në duart e opozitës: mjafton bojkoti i seancës dhe institucioni i Presidentit mbetet peng i kalkulimeve politike. Kjo nuk është logjikë kushtetuese, por logjikë e shantazhit parlamentar.

Për këtë arsye, nëse nuk arrihet një marrëveshje për një kandidat konsensual, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të duhej ta pranonte edhe një herë imponimin e zgjedhjeve të parakohshme. Përkundrazi, do të ishte në interes të rendit kushtetues që Kuvendi të vazhdonte procedurën e zgjedhjes së Presidentit duke u mbështetur në tekstin dhe frymën e Kushtetutës, e jo në një standard që nuk gjendet në të.

Nëse opozita e konsideron një veprim të tillë antikushtetues, rruga është e hapur: le ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do t’i krijonte vetë Gjykatës mundësinë të rishqyrtojë jurisprudencën e saj dhe të përgjigjet në pyetjen themelore: a mundet një interpretim gjyqësor të krijojë detyrime që Kushtetuta nuk i njeh?

Shteti i së drejtës nuk ndërtohet mbi precedentë që e zëvendësojnë tekstin kushtetues, por mbi interpretimin që i shërben frymës së Kushtetutës, funksionalitetit të institucioneve dhe parimit demokratik të vendimmarrjes. Në të kundërtën, çdo pakicë parlamentare do të mund ta mbante peng shtetin përmes bojkotit, duke e shndërruar një mekanizëm procedural në instrument të bllokadës së përhershme institucionale.

Të Ngjashme