Lajme

Kuvajti bëhet qendra e re e koordinimit ushtarak të vendeve të Gjirit

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ka rënë dakord për krijimin e një shtabi të avancuar për Komandën e Përbashkët Ushtarake në Kuvajt, si dhe për caktimin e forcave të përshtatshme ushtarake në kuadër të tij.

Njoftimi u bë të martën, pas përfundimit të mbledhjes së 23-të të Këshillit të Përbashkët të Mbrojtjes të GCC-së, ku morën pjesë ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve anëtare: Bahreinit, Kuvajtit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vendimi vjen pas luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila solli sulme me raketa dhe dronë ndaj vendeve të Gjirit, ndërpreu tregtinë dhe nxori në pah cenueshmërinë e infrastrukturës së tyre energjetike.

Sulmet e vazhdueshme të Huthëve ndaj Arabisë Saudite kanë shtuar më tej shqetësimet në rajon.

GCC-ja miratoi krijimin e një shtabi të avancuar ushtarak në Kuvajt, që nënkupton vendosjen e një qendre komanduese më pranë kërcënimeve të mundshme.

Megjithatë, detajet lidhur me vendndodhjen e saktë, numrin e trupave dhe llojet e forcave që do të angazhohen ende nuk janë bërë publike, shkruan Al Jazeera.

Komanda e Përbashkët Ushtarake u themelua në vitin 2013 me qëllim koordinimin e operacioneve të përbashkëta dhe forcimin e mbrojtjes kolektive.

Selia e saj në kryeqytetin saudit, Riad, u inaugurua në vitin 2021, ndërsa forca e përbashkët e vendeve të Gjirit, e njohur si Mburoja e Gadishullit (Peninsula Shield), daton disa dekada më parë.

Të Ngjashme