Pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kriza politike dhe institucionale në vend po thellohet edhe më tej.
Kërkesa e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike me partitë e tjera ka rikthyer në vëmendje mundësinë e një kompromisi, por edhe skenarin e zgjedhjeve të reja.
Situata u tensionua edhe më shumë pas incidentit në seancën e fundit në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit, duke bërë që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, të kërkojë ndërhyrjen e sigurimit.
Përplasjet e vazhdueshme ndërmjet partive politike dhe incidentet brenda Kuvendit po ngrenë pikëpyetje nëse palët do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje për zhbllokimin e institucioneve, apo nëse vendi po shkon drejt një tjetër cikli zgjedhor.
Vuniqi: Kuorumi si instrument politik, jo si parim kushtetues
Në lidhje me këtë situatë, për “Bota sot” foli opinionisti Agim Vuniqi, i cili thotë se çështja e kuorumit po shndërrohet në instrument të përplasjes politike.
Vuniqi thekson se ekziston një paradoks në qëndrimet e partive politike opozitare, pasi ato në të kaluarën kanë arritur marrëveshje politike edhe me Listën Serbe për sigurimin e shumicave parlamentare.
“Paradoksi i politikës kosovare bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohen qëndrimet e sotme me veprimet e së kaluarës. Të njëjtat parti që sot i shmangen një marrëveshjeje politike për tejkalimin e ngërçit rreth kuorumit për zgjedhjen e Presidentit, në të kaluarën nuk kanë hezituar të arrijnë marrëveshje politike me Listën Serbe për bashkëqeverisje. Po këto subjekte kanë siguruar kuorumin dhe votat e nevojshme me Listën Serbe edhe për themelimin e Dhomave të Specializuara, duke miratuar ndryshimet kushtetuese dhe ligjore në përputhje me legjislacionin që ishte në fuqi për periudhën për të cilën akuzohen ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe të tjerët.
Sot, megjithatë, po këto parti kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje që jo vetëm të propozojë kandidatin për President, por edhe të sigurojë votat për zgjedhjen e tij, pa ofruar paraprakisht asnjë garanci politike për mbështetje.”
Sipas Vuniqit, një qasje e tillë nuk përbën kompromis parlamentar, pasi përgjegjësia për sigurimin e votave po i lihet vetëm fituesit të zgjedhjeve.
“Në thelb, kërkesa është: “Propozoni kandidatin dhe pastaj gjeni vetë mënyrën për ta zgjedhur.” Kjo nuk është logjikë e kompromisit parlamentar, por transferim i plotë i përgjegjësisë te fituesi i zgjedhjeve, ndërkohë që opozita ruan të drejtën e bllokimit.
Në këtë kontekst, nuk duhet harruar se Vetëvendosje ka sinjalizuar gatishmëri për zgjidhje kompromisi, duke lënë të hapur mundësinë që posti i Kryetarit të Kuvendit ose ai i Presidentit të jetë pjesë e një marrëveshjeje konsensuale. Kjo nuk do të ishte hera e parë në praktikën kushtetuese të Kosovës. Rasti i zgjedhjes së Atifete Jahjagës dëshmoi se, pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit në rastin Pacolli, kriza u tejkalua përmes një kompromisi politik ndërmjet forcave parlamentare.”
Opinionisti pranon se rrethanat e sotme nuk janë të njëjta me ato të së kaluarës, por thotë se praktika e mëhershme dëshmon se kompromisi politik mund të jetë rrugë për funksionalizimin e institucioneve.
“Kjo nuk do të thotë se rrethanat e atëhershme dhe të sotmet janë identike. Përkundrazi, ato ndryshojnë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë juridik. Megjithatë, precedenti tregon se në demokracitë parlamentare, kompromisi nuk është dobësi, por mekanizëm për funksionalizimin e institucioneve.
Prandaj, pyetja që shtrohet nuk është nëse duhet të ketë kompromis, por pse kompromisi konsiderohet i pranueshëm kur u shërben interesave të një pale, ndërsa refuzohet kur synon zhbllokimin institucional. Nëse marrëveshjet politike kanë qenë të pranueshme për formimin e qeverive, për sigurimin e shumicave parlamentare dhe për vendime me pasoja historike e kushtetuese, është e vështirë të argumentohet se ato janë të papranueshme vetëm në rastin e zgjedhjes së Presidentit.”
Në fund, ai paralajmëron se mungesa e konsistencës politike mund ta shndërrojë edhe kuorumin në mjet bllokues.
“Konsistenca është themeli i besueshmërisë politike. Pa të, standardet rrezikojnë të shndërrohen në standarde të dyfishta, ndërsa kuorumi nga një instrument kushtetues për garantimin e legjitimitetit shndërrohet në një mjet bllokues të konkurrencës politike. Pikërisht aty lind dilema themelore: a po mbrohet fryma e Kushtetutës, apo po përdoret procedura kushtetuese si instrument i luftës politike?”
Halili: Kriza politike po thellohet, zgjedhjet e reja mund të jenë pasojë e dështimit
Ndërsa, profesori Nijazi Halili për “Bota sot” vlerëson se situata tashmë ka kaluar përtej një mosmarrëveshjeje procedurale dhe paraqet një krizë të thellë politike.
Halili thotë se partitë politike po e trajtojnë konstituimin e institucioneve si vazhdim të betejës elektorale, ndërsa incidentet në Kuvend i konsideron shqetësuese dhe të papranueshme.
“Ndërprerja e përsëritur e seancës konstituive është tashmë më shumë se një mosmarrëveshje procedural, kjo është shndërruar në dëshmi të një krize të thellë politike dhe të mungesës së vullnetit për kompromis. Partitë politike po e trajtojnë konstituimin e institucioneve si vazhdim të betejës elektorale, ndërkohë që përgjegjësia e tyre kryesore është funksionalizimi i shtetit.
Edhe incidentet brenda Kuvendit janë shqetësuese dhe të papranueshme. Kur debati parlamentar zëvendësohet me veprime provokuese, tensioni politik kalon kufijtë e konkurrencës demokratike. Kjo dëmton autoritetin e Kuvendit dhe e thellon mosbesimin e qytetarëve ndaj politikës.”
Sipas tij, një marrëveshje politike është ende e mundshme, por për këtë kërkohet heqja dorë nga ultimatumet dhe kalkulimet politike.
“Marrëveshja politike është ende e mundshme, por ajo kërkon heqjen dorë nga ultimatumet, kalkulimet personale dhe logjika e fajësimit të vazhdueshëm të kundërshtarit. Nëse liderët politikë nuk janë në gjendje të prodhojnë kompromis institucional, atëherë zgjedhjet e reja nuk do të ishin befasi, por pasojë e drejtpërdrejtë e këtij dështimi politik.”
Halili thekson se përgjegjësia për zhbllokimin e institucioneve u takon të gjitha subjekteve politike, veçanërisht atyre që kanë marrë më shumë vota nga qytetarët.
“Kosova nuk mund të mbahet peng nga pazaret dhe konfliktet partiake. Institucionet nuk janë pronë e partive, por janë mekanizma të shtetit dhe u takojnë qytetarëve. Përgjegjësia për zhbllokimin e tyre bie mbi të gjitha subjektet politike, por veçanërisht mbi ato që kanë marrë mandatin më të madh nga qytetarët”, përmbylli Nijazi Halili për “Bota sot”.
