Lajme

Kuvendi e Qeveria në “duart” e Kushtetueses, njohësit paralajmërojnë skenarin e zgjedhjeve të reja

Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re të Kosovës tashmë janë futur në një fazë të re të pasigurisë juridike, pasi çështjet që lidhen me procesin pritet të përfundojnë para Gjykatës Kushtetuese.

Përveç respektimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, në pikëpyetje është edhe vetë vlefshmëria e konstituimit, përderisa njëri nga nënkryetarët e Kuvendit ende nuk është zgjedhur. 

Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se kjo mund të përbëjë bazë për ta kontestuar konstatimin se Kuvendi është konstituuar, ndërsa juristi Blerim Burjani paralajmëron se një vendim negativ i Kushtetueses mund ta rrëzojë të gjithë procesin institucional, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. 

Në këtë situatë, vëmendja është përqendruar te ajo se çfarë vendimi mund të marrë Gjykata Kushtetuese dhe nëse ajo do të vendosë edhe masë të përkohshme për të parandaluar pasoja të mëtejshme. Por sa mund të vonojë vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin dhe formimin e Qeverisë së re? A ka ndonjë afat ligjor për vendimmarrjen e saj dhe çka pritet të ndodhë në ditët dhe javët në vijim?

Burjani: Një vendim negativ i Kushtetueses mund ta rrëzojë të gjithë procesin

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani për “Bota sot” ka komentuar situatën e krijuar pas kontestimit të konstituimit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar se një vendim negativ i kësaj gjykate mund të ketë pasoja të mëdha për institucionet e vendit.

Sipas Burjanit, rreziku kryesor është që i gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit të rrëzohet nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ai është jolegjitim. Ai thotë se, në rast se gjykata merr një vendim të pjesshëm dhe nuk e shpall konstituimin e Kuvendit si jolegjitim, atëherë një pjesë e procesit institucional mund të shpëtohet.

“Rreziku është që i tërë konstituimi të bjerë poshtë përnjëherë me vendimin negativ të Gjykatës Kushtetuese. Nëse ka aktgjykim të pjesshëm, mund të shpëtohet diçka, ku nuk shpallet aktgjykim për konstituim jo legjitim të Kuvendit”, është shprehur Burjani për ‘Bota sot’

Ai paralajmëron se në skenarin më të pafavorshëm, pasojat do të preknin jo vetëm Kuvendin, por edhe Qeverinë dhe funksionimin institucional të shtetit, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Atëherë i tërë aktiviteti bie poshtë, edhe Kuvendi edhe Qeveria, dhe shteti brenda 45 ditëve shkon në zgjedhje”, ka deklaruar Burjani.

Sa i përket kohës së vendimmarrjes, Burjani thotë se Gjykata Kushtetuese nuk ka një afat të përcaktuar për përgjigje, por shpreson që vendimi të merret sa më shpejt.

“Gjykata nuk ka afat për përgjigje, por shpresoj shumë shpejt”, ka thënë ai.

Bajraktari: Konstituimi i Kuvendit është juridikisht i kontestueshëm pa përfunduar Kryesia

Image
Ardian Bajraktari

Kurse, avokati Ardian Bajraktari ka ngritur një tjetër çështje me rëndësi kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përtej mosrespektimit të afatit 30-ditor. Ai vlerëson se, bazuar në nenin 67 të Kushtetutës dhe në standardet e vendosura më herët nga Gjykata Kushtetuese në rastet KO119/14 dhe KO124/25, ekziston bazë për të kontestuar konstatimin e bërë më 13 shtator 2026 se Kuvendi është konstituuar.

Sipas Bajraktarit, një element kyç është fakti se njëri nga nënkryetarët e Kuvendit ende nuk është zgjedhur. Ai thekson se konstituimi i Kuvendit nuk duhet të trajtohet vetëm si një akt formal që përfundon me zgjedhjen e Kryetarit, pasi Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese e lidhin përbërjen e Kryesisë me procesin konstituiv.

“Përtej çështjes së afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, afat detyrues, e i cili, siç dihet, është shkelur, ekziston edhe një çështje tjetër me rëndësi kushtetuese”, ka deklaruar Bajraktari.

Ai konsideron se moszgjedhja e njërit prej nënkryetarëve mund të jetë bazë e mjaftueshme për të konstatuar se procesi i konstituimit nuk ka përfunduar ende.

“Konstituimi nuk mund të trajtohet vetëm si një akt formal i përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit. Për aq kohë sa Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese e lidhin përbërjen e Kryesisë me procesin konstituiv, atëherë moszgjedhja e njërit prej nënkryetarëve është bazë e mjaftueshme për të konkluduar se ky proces nuk është i përfunduar”, është shprehur ai.

Në këtë kuadër, Bajraktari e konsideron juridikisht të kontestueshëm edhe konstatimin e bërë nga Kryetarja e Kuvendit se institucioni është konstituuar.

“Prandaj, konstatimin e sotëm të Kryetares së Kuvendit se Kuvendi është konstituuar, është juridikisht i kontestueshëm”, ka thënë Bajraktari për ‘Bota sot’ .  .

Ai nuk e përjashton mundësinë që, nëse çështja dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga palët e autorizuara apo përmes mekanizmit përkatës kushtetues, kjo gjykatë të shqyrtojë edhe mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme, me qëllim parandalimin e pasojave të pariparueshme dhe ruajtjen e efektivitetit të vendimmarrjes së saj.

Në fund, avokati thekson se debati aktual nuk lidhet vetëm me respektimin apo shkeljen e afatit 30-ditor, por edhe me vetë kuptimin kushtetues të konstituimit të Kuvendit.

“Në këtë fazë, pra, çështja nuk është vetëm nëse është respektuar afati 30-ditor, por edhe nëse, në kuptimin kushtetues, Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar pa u përfunduar përbërja e Kryesisë së tij, standard ky i cili, siç dihet, është vendosur”, ka përfunduar Bajraktari.

Të Ngjashme