Lajme

“Pa vrasjet politike, sot do të shpalleshin të pafajshëm” – Idriz Morina pas aktgjykimit të Hagës

Gazetari dhe ish-redaktori shumëvjeçar i gazetës “Bota Sot”, Idriz Morina, ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, duke theksuar se përgjegjësia e përcaktuar nga trupi gjykues është individuale dhe nuk përfshin UÇK-në si organizatë. Ai kërkoi gjithashtu që në debatin publik të mos harrohen viktimat e vrasjeve politike dhe familjet që vazhdojnë të presin drejtësi.

Sipas tij, rrëzimi i akuzave për krime kundër njerëzimit është i rëndësishëm për Kosovën, ndërsa dënimet lidhen kryesisht me trajtimin, ndalimin dhe vrasjen e personave të konsideruar kundërshtarë politikë ose bashkëpunëtorë.

Morina vlerësoi se pa vrasjet politike, të akuzuarit do të shpalleshin të pafajshëm. Ai përmendi një numër vrasjesh të figurave të LDK-së, zyrtarëve të institucioneve të Kosovës dhe gazetarëve, shumë prej të cilave vazhdojnë të mbeten të pazbardhura nga drejtësia vendore.

Gazetari bëri thirrje që pakënaqësitë ndaj aktgjykimit të adresohen përmes procedurës së Apelit dhe jo përmes dhunës apo sulmeve ndaj institucioneve të Kosovës.

Ai kërkoi gjithashtu që mediat dhe figurat publike të mos e paraqesin situatën si “apokaliptike” për Kosovën, duke argumentuar se shteti dhe lufta çlirimtare e UÇK-së nuk ishin objekt i këtij gjykimi.

Postimi i plotë i Idriz Morinës:

“Gjykimi nuk u bë ndaj Kosovës, as ndaj UÇK-së. Edhe aktakuza kyçe ra, nuk kishte absolutisht krime ndaj popullatës serbe – drejtësia e pjesshme për vrasjet politike u arrit!

Pa vrasjet politike, këta sot do të shpalleshin të pafajshëm!

Vendet mike, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, BE-ja etj., po bëjnë thirrje për qetësi dhe stabiliteti duhet të ruhet. Nuk mundet dhe askush nuk duhet të lejohet apo të përkrahet që t’ia vërë flakën Kosovës dhe t’i sulmojë institucionet e Republikës. Nuk ka asnjë arsye pse të mbahet e rrethuar Qeveria. Ajo nuk ka asgjë të bëjë me gjykimin në Hagë.

Gjykata e Hagës u krijua nga institucionet e Kosovës dhe madje me trysninë kyçe të vetë Hashim Thaçit!

Gjykata, në vendimin e saj, e ka shmangur çdo implikim të mundshëm të UÇK-së si forcë ushtarake në kryerjen e krimeve dhe vrasjeve të çfarëdollojshme, duke e kthyer fajësinë në përgjegjësi individuale dhe të një grupi të vogël!

Të gjithë ata që janë të pakënaqur dhe kanë prova bindëse, është Gjykata e Apelit ajo që mund të korrigjojë çdo padrejtësi!

Mediat dhe eksponentët e dyshimtë duhet ta ulin zërin dhe të mos nxisin dhunë, duke e paraqitur si një situatë apokaliptike për Kosovën! Nuk ka dëmtim më të madh të imazhit sesa kur Thaçi u arrestua derisa ishte në detyrë.

Shteti i Kosovës nuk do të ketë asnjë pasojë, sikurse nuk ka pasur as deri më tash, përkundër propagandës së të njëjtëve se shteti do të pësojë. Të gjithë njerëzit e arsyeshëm dhe njohësit e drejtësisë e kanë ditur që akuzat për krime ndaj popullatës serbe do të bien.

Gjykata vendosi: ‘Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile, si kusht për krim kundër njerëzimit, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile’.

‘ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm që ky sulm u drejtua kundër një popullate civile’, tha gjykatësi Smith.

Pra, nuk ka se si të argumentojë Serbia, e cila ka kryer sulme masive, masakra dhe vrasje masive ndaj popullatës civile të pambrojtur, përfshirë dëbimin masiv të mbi gjysmës së shqiptarëve, djegien masive të shtëpive dhe pronave të tjera, e krime të tjera.

Por nuk mund të quhen prova të sajuara vrasjet politike, si ajo e ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerëve, përfaqësues e zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të LDK-së.

Pra, para se të villni vetëm vrer ndaj gjykimit në Hagë, kujtoni shpirtrat e Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Karadakut, Ilir Konushecit, Ali Ukajt, Beadin Hallaqit, Sadri Ramqajt, Haki Imerit, Xhemail Mustafës, Ismet Rracit, Shaban Manajt, deputetit dhe komandantit të luftës Smajl Hajdarajt, Ismet Rrahmanit, Xhafer Behramit me djalin Baki Behramin, Bekim Kastratit, Besim Dajakut, vrasjen e kolonelit Zemaj, të përmendur sërish edhe në Hagë, dhe të dy policëve Sebahate Tolaj e Jusuf Haklaj, që të dy ish-luftëtarë në Koshare; policit dhe ish-ushtarit të UÇK-së Hajdar Ahmetit; vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti më 2005; plagosjen e rëndë të Sabri Hamitit dhe të Gani Gecit; rrahjet dhe arrestimet e deputetëve të Republikës së Kosovës në Likoc; rrëmbimet, si ai i majorit Afrim Shurreci dhe Blerim Kuqit etj.

Shumë prej këtyre rasteve mbetet t’i zbardhin gjykatat në Kosovë, por, siç duket, protestat janë kundër tyre.

Nëna e kolegut tim të çmuar Bardhylit vdiq duke pritur drejtësi. Zonja Mustafa, e veja e kolegut tim Xhemail Mustafës, vdiq vetëm para pak muajsh duke shpresuar pak ngushëllim për Xhemën e saj dhe të Kosovës!

Babai i kolegut tim të dashur Bekim Kastratit, axha Hajriz, u largua nga kjo botë pa shpresën për drejtësi!

Konteksti i vrasjeve politike sipas Gjykatës së Hagës – Lufta për pushtet

Gjykata tha se Serbia ia hoqi me dhunë autonominë Kosovës në vitin 1989.

Shqiptarët, po në vitin 1989, e krijuan LDK-në dhe ajo kishte për qëllim pavarësinë e Kosovës. Pastaj LDK-ja organizoi sistemin paralel, shpalli Republikën dhe organizoi referendumin për pavarësi, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran!

Por grupi i të akuzuarve dhe të tjerë kryen vrasje dhe dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, figurave të LDK-së, por edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat i mohonin. Nuk ishte vetëm mohim, por edhe ushtrim dhune, duke i rrahur, kërcënuar, arrestuar dhe vrarë, dhe këtë e bënin sepse kishin për qëllim pushtetin, argumentoi gjykata.

Pra, gjykata po vendos drejtësi për dhunën politike të ushtruar ndaj kundërshtarëve politikë!

Gjykata po thotë se këta kishin guxim të vrisnin shqiptarë që po e luftonin në tërësi sistemin serb dhe që kishin për qëllim pavarësinë e Kosovës, dhe këtë kishin zgjedhur ta bënin gjatë luftës!

Akuzat për llojet e tjera të vrasjeve mund të rrëzohen në Apel, por vrasjet politike vështirë se mund t’i rrëzojnë!

Ata janë gjallë dhe mund të ankohen, por sot asnjë nga kundërshtarët politikë nuk mund të zgjohet dhe atyre nuk iu dha asnjëherë mundësia të ankohen!

Natyrisht, dhimbja për këto dënime është e madhe për familjarët, veçmas për fëmijët e të dënuarve, të cilët janë të pafajshëm!”

Të Ngjashme