Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar, duke hapur rrugën për formimin e Qeverisë së re.
Ajo ka uruar nënkryetarët e zgjedhur, ndërsa ka theksuar se pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së mbetet e paplotësuar, pasi përfaqësuesit e kësaj partie munguan tri herë në seancën konstituive.
Haxhiu tha se kjo pozitë i takon PDK-së dhe do të mbetet e rezervuar për të, ndërsa Kuvendi do të votojë kandidatin sapo partia ta propozojë.
Postimi i plotë:
Konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës
Sot u konstituua Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke i hapur rrugë hapit të radhës, formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
I uroj nënkryetarët e zgjedhur të Kuvendit dhe i falënderoj të gjithë deputetët që ishin të pranishëm në sallë dhe që e ushtruan përgjegjësinë e tyre institucionale përmes votës.
Pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së mbetet ende e paplotësuar. Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin.
Kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për të. Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të.
Institucionet duhet të funksionojnë. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe procesi i funksionalizimit të plotë të institucioneve duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme.
