Lajme

“Kuvendi nuk mund ta zhdukë thjesht me një vendim”, Kelmendi tregon çfarë duhet bërë me Specialen

Pas vendimit dënues për ish-krerët e UÇK-së, disa akterë politikë po kërkojnë zhbërjen e kësaj gjykate.

Profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi ka reaguar pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesave për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Kelmendi ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të veprojë, por ka sqaruar se Specialja nuk mund të shfuqizohet thjesht me një vendim të zakonshëm.

Sipas tij, çdo ndryshim i statusit apo mandatit të saj duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën, ligjet përkatëse dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës duhet të veprojë.

Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan përmes një kuadri juridik që përfshin marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi, ndryshimin kushtetues të Nenit 162 dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Prandaj, është e rëndësishme të sqarohet se Kuvendi nuk mund ta zhdukë thjesht me një vendim të zakonshëm këtë institucion. Çdo ndryshim i statusit ose i mandatit të tij duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën, Ligjin përkatës dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës”, tha ai.

Kelmendi ka thënë se Kuvendi duhet të shqyrtojë kompetencat e tij dhe rrugën institucionale për përfundimin e mandatit të Speciales.

“Vetë neni 162 parashikon se mandati vazhdon deri në njoftimin nga Këshilli i Bashkimit Evropian për përfundimin e mandatit.

Kuvendi duhet të shqyrtojë të gjitha kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore dhe të kërkojë rrugën institucionale për përfundimin e mandatit, nëse ekzistojnë kushtet juridike për një gjë të tillë.

Kjo gjykate duhet te zhbehet” – shkruan ai në Facebook.

Të Ngjashme