Agron Hajdarit, anëtari i grupit ‘Plisat’ të njohur me nofkën ‘Radulla’ ka mbetur i vrarë mbrëmë si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri.
Ai u qëllua me armë në kokë, gjoks dhe shpinë. Si pasojë e plagëve të marra, vdiq në vendin e ngjarjes.
I dyshuari për vrasjen e tij është ende në arrati. Ai është Arblind Pireva.
Hajdari, rreth 40-vjeç, u vra mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Rifat Berisha” të lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Policia e Kosovës në raportin e sotëm 24 orësh ka bërë të ditur se i dyshuari është ende në arrati.
“Është raportuar për të shtëna me armë zjarri ku si pasojë viktima mashkull kosovar është qëlluar nga i dyshuari mashkull kosovar i cili është larguar në drejtim të panjohur dhe ndodhet në kërkim policor”, thuhet në raport.
