Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka njoftuar për shfuqizimin e vendimit që kufizonte qarkullimin e mjeteve të rënda në rrugët rajonale, nacionale dhe autoudhët e Kosovës.
Sipas Bashës, vendimi ishte marrë në fillim të sezonit veror dhe kishte qenë në fuqi gjatë periudhës së temperaturave të larta, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore nga dëmtimet e mundshme të shkaktuara nga qarkullimi i mjeteve të rënda në kushte të tilla.
Përmes njoftimit të tij, Basha ka falënderuar Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe koordinimin gjatë zbatimit të masës, ndërsa ka shprehur mirënjohje edhe për qytetarët dhe operatorët për respektimin e vendimit dhe mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj periudhe.
Postim i plotë:
Dje e kam shfuqizuar Vendimin e marrë në fillim të sezonës verore për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda në rrugët rajonale, nacionale dhe autoudhë.
Ky Vendim ka qenë në fuqi gjatë periudhës së temperaturave të larta, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore nga dëmtimet që shkaktohen nga qarkullimi i mjeteve të rënda në kushte të tilla.
Falënderoj personalisht Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm gjatë gjithë kësaj periudhe, si dhe të gjithë qytetarët dhe operatorët për respektimin e vendimit dhe mirëkuptimin e treguar.
