Aktuale

LAJMI I FUNDIT/ I çojnë “selam” në një kuti pice për 50 milionë lekë, biznesmeni kërcënohet me eksploziv

Një biznes privat në Peshkopi është vënë në shënjestër të një kërcënimi serioz, pasi pronarit të subjektit i është kërkuar të paguajë 50 milionë lekë, në të kundërt biznesi do të hidhej në erë.

Siç raporton Top-Channel, kërcënimi është përcjellë përmes një kutie picash, brenda së cilës ndodhej kërkesa për shumën e parave.

Në të njëjtën kuti janë gjetur edhe disa materiale që dyshohet se mund të jenë pjesë e një pajisjeje artizanale të ngjashme me eksploziv.

Pas konstatimit të pakos, policia ka rrethuar zonën në dalje të qytetit, duke vendosur një perimetër sigurie që është mbajtur nën kontroll për rreth tre orë.

Në qytetin verior kanë mbërritur edhe specialistë të çminimit dhe neutralizimit të lëndëve eksplozive nga Tirana, ndërsa për arsye sigurie janë mbyllur përkohësisht edhe subjektet pranë zonës së karburantit.

Për shkak të ndërhyrjes së policisë, qarkullimi i automjeteve është devijuar dhe është orientuar përmes unazës së Peshkopisë. Në kuadër të hetimit, disa persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa vijojnë veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të kërcënimit.

Pritet që Policia e Shtetit të japë një informacion zyrtar për ngjarjen dhe të sqarojë edhe natyrën e materialeve të gjetura në kutinë e picave.

Të Ngjashme