Lajme

Letra e Haxhiut për KGJK-në: Të trajtohen pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të vitit 2022

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaçi, që të trajtojë pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve të komunitetit serb, të paraqitura në vitin 2022.

Në letrën e siguruar nga Telegrafi, Haxhiu shpreh shqetësimin për mosprocedimin e këtyre rasteve, duke theksuar se sipas legjislacionit në fuqi, pas dorëheqjes së gjyqtarit, KGJK-ja i propozon Presidentit lirimin e tij nga detyra.

“Përmes kësaj letre, më lejoni të shpreh shqetësimin tim për mosmiratimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve të komunitetit serb, të paraqitura në vitin 2022”, thuhet në letrën e Haxhiut.

Image
Letra

Ajo vlerëson se shqyrtimi dhe vendimmarrja për këto dorëheqje janë përgjegjësi e KGJK-së, ndërsa shton se institucioni nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për përmbylljen e procedurave përkatëse.

Sipas Haxhiut, mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë të gjatë po ndikon në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, theksohet në letër.

Në fund, Haxhiu kërkon nga KGJK-ja që, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të siguruar funksionimin e rregullt, efektiv dhe gjithëpërfshirës të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Të Ngjashme