Rritja e pranisë së Vjosa Osmanit në terren, përmes një serie takimesh me qytetarë në komuna të ndryshme, po tërheq vëmendje të shtuar dhe po ngjall diskutime në opinionin publik.
Në mungesë të një subjekti të qartë politik që i organizon apo i mbështet këto iniciativa, lindin pyetje legjitime mbi natyrën, qëllimin dhe prapavijën e këtyre angazhimeve.
Intensifikimi i paraqitjeve të saj në terren mund të interpretohet në disa mënyra, duke filluar nga një përpjekje për të forcuar lidhjen me qytetarët, deri te sinjale të mundshme për një organizim të ri politik apo ripozicionim në skenën politike, ndonëse rikthimi i saj në LDK është më afër se kurrë, ende nuk është zyrtarizuar asgjë.
Kjo situatë ka shtuar interesin për të kuptuar më mirë se kush qëndron pas kësaj fushate dhe si po mbulohet kosto e saj.
Në mungesë të një subjekti politik që i merr përsipër publikisht këto aktivitete, mbetet e paqartë nëse kemi të bëjmë me një iniciativë të pavarur, një rrjet mbështetësish joformal, apo një fazë paraprake të një projekti të ri politik.
E për këtë çështje, folën njohësit e politikës, ku thanë mes tjerash se, transparenca mbi këto elemente konsiderohet thelbësore për të sqaruar prapavijën dhe ndikimin e mundshëm të këtyre zhvillimeve në skenën politike.
Burjani: Kush e financon është çështje që duhet ta sqarojë ajo vetë
Si fillim, për këtë temë, për “Bota sot” foli ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Blerim Burjani.
Sipas tij, kjo çështje ende është e panjohur, ndonëse u shpreh se qëllimi i saj dihet, e që ka të bëjë me synimin për t’u bërë sërish president.
“Kjo është çështje e panjohur. Ajo çfarë dihet është se zonja Osmani po bën fushatë me qëllim të qartë për t’u bërë sërish presidente. I ka pëlqyer shumë posti dhe dëshiron që përmes LDK-së ta arrijë këtë.
Sipas kësaj, LDK-ja, me Vjosën bartëse të listës, mund të rritet deri në 6%. Kjo mbetet për t’u parë dhe vërtetuar në zgjedhjet e ardhshme”.
Ndër të tjera, ai tha se çështjen e financimit, duhet ta sqarojë vetë Osmani, derisa hodhi edhe supozime për atë se kush e mbështet fushatën e saj.
“Kush e financon është çështje që duhet ta sqarojë ajo vetë. Megjithatë, ajo nuk është person që ka punuar vetëm për pagën e presidentes; normalisht ka edhe pasuri familjare, ndoshta edhe individë apo biznese që e përkrahin. Këto janë supozime, pra nuk dihet diçka më konkretisht”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.
Halilaj: Zhvillimet e ardhshme do të tregojnë më qartë nëse këto aktivitete janë thjesht pjesë e mandatit aktual apo sinjal i një angazhimi të ri politik
Kurse, anëtari i Guxo dhe avokati, Gazmend Halilaj, tha se në mungesë të një subjekti të deklaruar politik, atëherë ngriten dyshime dhe hidhen spekulime të ndryshme mbi fushatën e Osmanit.
Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” u shpreh se, e gjithë kjo fushatë e Osmanit duhet parë në prizmin e një pozicionimi të mundshëm politik për të ardhmen e saj.
“Pas raportimeve të fundit për intensifikimin e takimeve të Vjosa Osmani me qytetarë nëpër komuna të ndryshme, janë ngritur diskutime dhe pikëpyetje të shumta mbi natyrën dhe qëllimin e këtyre aktiviteteve. Megjithëse në rolin e saj si presidente këto takime mund të konsiderohen pjesë e angazhimeve institucionale dhe komunikimit me publikun, dinamika dhe shpeshtësia e tyre kanë bërë që shumëkush t’i shohë edhe në prizmin e një pozicionimi të mundshëm politik për të ardhmen.
Në mungesë të një subjekti të deklaruar politik që qëndron pas këtyre organizimeve, mbetet e hapur çështja e mënyrës së organizimit dhe financimit, duke nxitur spekulime të ndryshme në opinion”, shtjelloi ai.
Gjithashtu, anëtari i Guxo, hodhi hipotzën që LDK mund të jetë e përfshirë në fushatën e Osmanit, ndonëse nuk ka konfirmim të tillë.
Mes tjerash, kërkoi që e gjithë kjo fushatë të ketë transparencë, në mënyrë që faktet më pas të tregojnë qëllimet e saj.
“Një ndër hipotezat që qarkullon është mundësia e përfshirjes së Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nisur edhe nga e kaluara politike e Osmanit, por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim apo provë të qartë që e mbështet këtë pretendim. Ajo që mbetet e rëndësishme është që çdo interpretim të mbështetet në fakte konkrete dhe transparencë, ndërsa zhvillimet e ardhshme do të tregojnë më qartë nëse këto aktivitete janë thjesht pjesë e mandatit aktual apo sinjal i një angazhimi të ri politik pas tij”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
