Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për tre persona me inicialet M.P., I.H. dhe F.Z., të dyshuar për përfshirje në disa vepra penale, përfshirë pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal të organizuar dhe mashtrimin.
Sipas njoftimit të gjykatës, të pandehurit dyshohen edhe për hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.
Vendimi është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ku gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.
Paraburgimi është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji për secilin prej tyre.
Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
