Krerët fetarë të Kosovës, Kryeimami Naim Tërnava dhe Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, kanë përcjellë mesazh mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin gjatë vizitës së tyre të fundit në Hagë.
Kështu ka bërë të ditur platforma qytetare “Liria Ka Emër”, e cila ka publikuar një mesazh lidhur me qëndrimin e tyre ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas platformës, Tërnava dhe Gjergji kanë qëndruar pranë përfaqësuesve të “Liria Ka Emër” edhe gjatë këtyre ditëve, duke shprehur mbështetje për atë që platforma e cilëson si të vërtetën historike dhe luftën çlirimtare.
“Liria Ka Emër” ka theksuar se procesi gjyqësor në Hagë po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa ka bërë thirrje që zëri i Kosovës të dëgjohet fuqishëm.
Platforma ka rikujtuar gjithashtu për mbajtjen e “Marshit për Liri” më 12 shtator në Prishtinë. Marshi do të nisë në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesës për drejtësi.
