Lista Serbe ende nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Deklaratat e saj kanë nxitur reagime të ashpra në Kosovë, në rajon dhe nga Bashkimi Evropian.
Institucionet e Kosovës i kanë cilësuar deklaratat si nxitje të urrejtjes dhe glorifikim të krimeve të luftës, ndërsa kanë ndërmarrë masa ndaj ministres serbe, duke e shpallur atë persona non grata dhe duke dorëzuar kallëzim penal për deklaratat e saj.
Reagime dënuese kanë ardhur edhe nga vende të rajonit, ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik. Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, e ka dënuar deklaratën dhe ka shprehur habinë që Paunoviq vazhdon të mbetet ministre në Qeverinë e Serbisë.
Pavarësisht këtyre reagimeve, as edhe një javë pas, Lista Serbe, subjekti politik që përfaqëson shumicën e serbëve të Kosovës dhe që tradicionalisht mban lidhje të ngushta me Beogradin, nuk ka dalë me ndonjë qëndrim publik për deklaratat e Paunoviqit. Deri më tani, nuk është publikuar asnjë reagim zyrtar nga drejtuesit e kësaj partie lidhur me çështjen. Ndërkaq vetë Paunoviq, për këto deklarata skandaloze i ka kërkuar falje Vuçiqit, por jo shqiptarëve.
Lexo po ashtu“Unë presidente ose le të kallet Kosova”, Fitore Pacolli e kritikon Vjosa Osmanin
Lexo po ashtu“Spastruesja etnike” e Kosovës, Paunoviq, nuk bëhet pishman, mbron SPS-në dhe Millosheviqin
Lidhur me mosreagimin e Listës Serbe për këtë çështje, ka folur sot edhe kryeredaktorja e KoSSev-it, Tatjana Lazareviq, e cila ka thënë se deklarata e paunoviqit përbën një shembull tipik të gjuhës së urrejtjes, transmeton KosovaPress.
Ndërkohë, deklaratat e Paunoviqit për spastrim etnik të Kosovës erdhën gjatë një emisioni për Kuririn serb, fundjavën e kaluar.
