Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar Kornizën Zhvillimore Strategjike 2026-2030, e cila synon forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e ekspertizës profesionale dhe përmirësimin e transparencës në luftën kundër korrupsionit.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se kjo strategji synon të kalojë nga hartimi i ligjeve në zbatimin e drejtpërdrejtë të tyre, duke theksuar se përgjegjësitë më të mëdha kërkojnë edhe kapacitete më të forta institucionale.
Ai përmendi si sfida mbingarkesën e stafit, zgjerimin e mandatit të Agjencisë, buxhetin e kufizuar dhe mungesën e ekspertizës së specializuar në fushëveprimtarinë e saj.
Buleshkaj tha se, ndonëse Agjencia ka pasur mbështetje dhe ka filluar përdorimin e platformave elektronike, nevojiten investime dhe ekspertizë shtesë.
Drejtori i APK-së shpalos kornizën zhvillimore strategjike
“Përgjegjësi më të gjera kërkojnë kapacitete më te forta në zbatimin e tyre, parandalimi kryhet përmes matjes së rreziqeve dhe masat parandaluese.. Dobësi mund të jetë mbingarkesa e stafit, janë zgjeruar mandatet, kemi përdorur platforma elektronike. Kemi një buxhet të kufizuar dhe investime të kufizuar dhe kemi nevojë për ekspertizë, në Kosovë nuk ka ekspert në fushveprimtarinë tonë…Qëllimi numër dy është rritja e ekspertizës profesionale dhe trajtimi më cilësor i rasteve. Edhe pse kemi pasur feedback pozitiv nga trajtimi i rasteve, ne besojmë që kemi ende vend për t’i përmirësuar ato dhe për të qenë në vijim të plotë me praktikat më të mira. Po ashtu, ekspertiza e stafit të agjencisë ka vend për t’u rritur dhe për t’u certifikuar. Nganjëherë, ne mund të jemi shumë të mirë në kryerjen e një detyre, por na nevojitet edhe certifikim ndërkombëtar me standardet më të mira. Objektivi i tretë, tepër i rëndësishëm, është rritja e transparencës, sepse besojmë se transparenca e ndërton besimin. Edhe pse kemi filluar pak nga fushatat publike, mungesa e fondeve na pamundëson kryerjen e fushatave serioze të informimit publik. Kemi filluar t’i përdorim kanalet digjitale, si mjete më të lira në bartjen e informatave, por edhe aty qasja është kufizuar”, tha Buleshkaj.
Ndërkaq, anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Afërdita Bytyqi, tha se ky institucion ka hartuar plan strategjik për rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe krimin e organizuar.
Bytyqi tregon se KGJK ka hartuar plan strategjik për rritjen e efikasitetit për lëndët me korrupsion
“Vlen të theksohet plani strategjik që ka Këshilli Gjyqësor për efikasitetin e trajtimit të lëndëve të korrupsionit të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe krimit së organizuar. Këshilli ka aktivizuar disa procese, si dhe për Gjykatat të cilat janë në zbatim të këtij plani strategjik, më pas hartojnë planin e veprimit për zbatimin e kësaj strategjie. Këshilli ka themeluar edhe komisionin, përbëhet nga pesë anëtarë. Ky komision ka për obligim për monitorimin e kësaj strategjie të raportoj dhe këshilli në bazë të raportimit merr masa të tjera. Fokus lufta kundër korrupsionit dhe efikasiteti i trajtimit të lëndëve për këshillin ka qenë qysh moti”, tha ajo.
Edhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi, tha se dallimi mes dokumenteve strategjike të institucioneve qëndron në efikasitetin e zbatimit të tyre.
Krasniqi përmendi edhe vështirësitë që ka pasur sistemi prokurorial, përfshirë mungesën e prokurorit të shtetit, si dhe sfidat me numrin e prokurorëve dhe lëvizjen e tyre.
Krasniqi përmend sfidat dhe vështirësitë në mungesën e numrit të prokurorëve
“Ajo çka na dallon, është efikasiteti dhe për ta pasur këtë duhet të kemi dokumente të mirë organizuara. Edhe KPK ka një dokument të tillë. Për dallim nga të tjerat, ne kemi një ligj për Prokurorinë Speciale, aty kemi një departament qe merret me korrupsionin. Mungesa e prokurorit të shtetit ka lënë një dëm të madh, deri në zgjedhjen e tij, tash kemi mekanizma, një i veçantë është cilësia e aktakuzave. Një hetim nëse përfundon me një aktgjykim të fuqishëm, do të ishte i mangët nëse nuk ka konfiskim të pasurisë. Krejt këto mekanizma janë në funksion në rritje të cilësisë dhe efikasitetit… Nuk duhet të harrojmë se këto 10 vitet e fundit, Sistemi Prokutorial ka mangësi në numrin e prokurorëve”, tha Krasniqi.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Isen Lipovica, theksoi rëndësinë e rolit të këtij institucioni në parandalimin e korrupsionit, duke pasur parasysh prezencën e vazhdueshme në terren dhe qasjen në të dhëna që mund të shërbejnë për institucionet e tjera.
Lipovica flet për rëndësinë e rolit të ATK-së në parandalimin e korrupsionit
“Pasur parasysh rolin e ATK-së në sistemin tonë ekonomik, duke pasur parasysh se ne kemi prezencë të vazhdueshme në terren, kjo të jep të nënkuptosh qe çështja e korrupsionit është e rëndësisë vitale, institucionale e ekonomike. ATK është deponi i të dhënave, siguron të dhëna për të gjithë akterë të tjerë prezent në shoqërinë tonë. Vendimmarrjen e ka arritur në nivel, çdo dokument kalon neper filtrin e analizës se riskut. Kjo është vlerësuar edhe në raportin e fundit të fondit monetar, neve na bën nder që kemi rritur standardet. A ka nevojë për ndryshime, përmirësime? Sigurisht qe po, po flasim për numrin e madh të informatave, rëndësi është pastaj edhe cilësia e informatave, shpejtësia e feedbacku. Kërkohet qe të kemi bashkëpunim me të gjitha institucionet”, tha ai.
Lansimi i Kornizës Zhvillimore Strategjike 2026-2030 synon të përcaktojë drejtimet e zhvillimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në vitet e ardhshme, me fokus në forcimin e mekanizmave parandalues, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
