Lajme

Lushaku-Sadriu kritikon ministrin e Sportit për Lojërat Mesdhetare: Viktimizimi nga karrigia e ministrit është ikje nga përgjegjësia

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar ministrin e Sportit lidhur me problemet dhe vonesat në organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ajo ka thënë se është irrituese të dëgjosh ministrin të flasë për dështimet e mundshme të këtij projekti, duke u paraqitur sikur nuk ka kompetenca për t’i zgjidhur problemet.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se ministri duhet të marrë përgjegjësi për koordinimin, përmbushjen e obligimeve dhe tejkalimin e vonesave, duke kërkuar që për secilën pengesë të ketë zgjidhje konkrete dhe afate të qarta.

“Veç me ankesa: faj ka Komuna e Prishtinës, faj kanë organizatorët, faj ka edhe gjeografia… Veç ministri përgjegjësi s’paska!”, ka deklaruar ajo.

Sipas deputetes së LDK-së, ministri ka në dispozicion ministrinë, buxhetin dhe mandatin për të vepruar, prandaj nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke fajësuar të tjerët.

“Viktimizimi nga karrigia e ministrit është ikje nga përgjegjësia”, ka theksuar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka vlerësuar se Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi të madhe për sportin dhe Kosovën, por realizimi i tyre kërkon punë, vendime konkrete dhe rezultate.

“Me ankesat tuaja nuk ndërtohet asnjë palestër!”, ka përfunduar ajo.

Të Ngjashme