Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i votimit për nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje po tenton t’ua imponojë grupeve të tjera parlamentare procedurën dhe kandidatët.
Pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit, ku ishte paraparë votimi për nënkryetarët, Lushaku-Sadriu u tha mediave se deputetët e LDK-së e kanë lëshuar sallën pasi kryetarja e Kuvendit imponoi një mënyrë votimi që nuk ishte në përputhje me procedurën parlamentare.
Lushaku-Sadriu: Ne si LDK lëshuam sallën për shkak se u imponua nga kryetarja
“Ne si LDK lëshuam sallën për shkak se u imponua nga kryetarja. Një votim dhe një kalim për votimin e nënkryetarëve duke prishur procedurën. Ne kërkuam që të respektohet procedura në bazë të kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtuese, në bazë të rregullores së punës, dhe praktikes parlamentare tri grupeve më të mëdha parlamentare u takon nga një nënkryetar dhe në radhë duhet të votohen. Kishte një tendencë që të kalojë nga një grup tek tjetri, prandaj ne nuk u dakorduam të ketë një kalim të tillë për aq kohë sa nuk ka propozim edhe nga grupi i dytë parlamentar”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Ajo tha se situata e krijuar është rezultat edhe i mungesës së konsensusit politik për mënyrën e votimit.
Sipas saj, grupi më i madh parlamentar po tenton t’ua imponojë grupeve të tjera kandidatët për nënkryetarë.
Lushaku-Sadriu theksoi se LDK-ja e kishte njohur të drejtën e Vetëvendosjes që Ardian Gola të jetë nënkryetar i Kuvendit, duke kërkuar që e njëjta qasje të vlejë edhe për kandidatët e grupeve të tjera parlamentare.
Lushaku-Sadriu: Ne ua njohëm VV-së Golën për nënkryetar, kjo nuk u zbatua nga ata për partitë tjera
“Kjo vjen edhe si rezultat i mosgatishmërisë së Vetëvendosjes për të bërë një konsensuse në kuptimin e gjetjes së një modaliteti të votimit në pako dhe si rezultat i imponimit të votimit të tillë erdhëm tek kjo situatë. Kjo flet shumë për gatishmërinë për vullnet politik të vet grupit më të madh, i cili tenton që grupeve të tjera t’ua imponojë kandidatët. Është një ushtrim shumë i vështirë, shumë elementar i demokracisë të cilën Vetëvendosje nuk po mund të tejkalojë vetën. Por, në emër të konsitutimit të institucioneve, është dashur që kësaj here të bëjë një tejkalim të vullnetit politik dhe të ua njeh të drejtën Grupeve Parlamentare për të propozuar të zgjedhurit e tyre. Ne si LDK ua njohëm Vetëvendosjes që Ardian Golën ta kenë nënkryetar, por kjo nuk u zbatua nga ta për kandidatët e tjerë, dhe si rrjedhojë nuk kemi konstituim. Kjo është për keqardhje”, ka shtuar Lushaku-Sadriu.
E pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e ardhshme, Lushaku ka thënë se çështja tash lidhet me vullnetin politik për të tejkaluar situatën, por nënvizoi se procedura tashmë është shkelur.
Lushaku-Sadriu: Procedura e kuvendit flet për tri grupet më të mëdha parlamentare
“Tani kemi kriza të vullnetit politik për të tejkaluar dhe do të shohim me radhë se si do të shkojë…Hiq nuk është e rëndësishme cili grup dhe si e ka emrin, procedura e kuvendit të Kosovës flet për tri grupet më të mëdha parlamentare të cilat me radhë duhet t’i prezantojnë nënkryetarët. Ne kemi bërë votimin e kandidatit të VV-së për nënkryetar. LDK i ka qëndrimet e veta dhe primet bazë për të cilat beson se ky shtet duhet mbështetur për të pas demokraci, por ja që grupi më i madh nuk po e njeh këtë”, ka nënvizuar ajo.
Lushaku tha se çështjet e tilla mund të kërkojnë interpretime ligjore dhe kushtetuese.
Lushaku-Sadriu: Këto janë subjekt që kërkojnë interpretime ligjore
“Absolutisht gjitha këto janë subjekt që kërkojnë interpretime ligjore. Do të jemi në ballë të kërkesës për interpretime Kushtetuese për aq kohë sa ka paqartësi. Këto procedura janë shumë mirë të sqaruara në shumë vendime. Kur ka ndodhë një situatë e tillë? S’ka pas, ka ndodh konstituimi me radhë i subjekteve politike…LDK do të angazhohet që konstituimi të ndodhë sa më shpejtë por duke respektuar rregullat”, tha ajo.
