Lajme

Manaj: Sejdiu figura e duhur për president, i bindur se të gjithë deputetët e LDK-së do marrin pjesë në votim

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka folur para mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, duke shprehur bindjen e tij se kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës do të mbështetet nga organet e partisë dhe deputetët e saj.

Manaj tha se qëndrimin për Sejdiun e kishte bërë të ditur edhe një ditë më parë, duke e cilësuar atë si figurën e duhur për president.

“E kam dhënë edhe dje qëndrimin, mendoj që Bekim Sejdiu është figura e duhur për president të Republikës. Ky qëndrim për kandidat konsensual për president të Republikës ka ndodhur pas mbledhjes së grupit parlamentar javën e kaluar, dhe jam i bindur që edhe sot Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të gjitha organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për kandidaturën e zotit Bekim Sejdiu për president të Republikës”, deklaroi Manaj.

I pyetur nëse do të merren masa ndaj deputetëve që mund të votojnë kundër apo të mos marrin pjesë në votimin për presidentin, Manaj u shpreh i bindur se të gjithë deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në seancë.

 “Por unë jam i bindur që të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Manaj mohoi gjithashtu raportimet se gjashtë deputetë të LDK-së kanë krijuar një grup të veçantë parlamentar.

 “Jo, nuk është, nuk është e vërtetë. Grupi parlamentar është unik, të gjithë deputetët janë në kryerjen e detyrave të tyre. Sot e kemi mbledhjen e Kryesisë Qendrore, domethënë tash pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore është edhe mbledhja e grupit parlamentar që besoj që të gjithë deputetët e grupit parlamentar do të vendosin në pajtim me qëndrimet e vendimin e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Manaj.

I pyetur për deklaratën e deputetit Avdullah Hoti se nuk e ka votën për kandidaturën, Manaj tha se beson se edhe Hoti do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit dhe kandidaturën e Sejdiut.

Të Ngjashme