Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) po vazhdon procesin e konsultimeve me komunat dhe partnerët ndërkombëtarë për hartimin e Strategjisë së Vetëqeverisjes Lokale 2027–2031.
Në diskutimin e radhës, zëvendësministri Agon Batusha, së bashku me përfaqësuesit e komunave dhe të OSBE-së, trajtoi çështje me rëndësi për avancimin e qeverisjes lokale, me fokus në forcimin e demokracisë lokale, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe përmirësimin e performancës komunale.
Gjatë takimit u theksua se strategjia duhet të bazohet në nevojat dhe sfidat reale të komunave, duke përcaktuar objektiva të qarta, masa konkrete dhe mekanizma efektivë për zbatimin e tyre. Po ashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale të komunave, si dhe rritjes së pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Hartimi i Strategjisë së Vetëqeverisjes Lokale 2027–2031 synon të krijojë një bazë të qëndrueshme për qeverisje lokale më transparente, më llogaridhënëse dhe më efikase, në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.
MAPL mbetet e përkushtuar që, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me komunat dhe partnerët, të sigurojë një proces gjithëpërfshirës të hartimit të strategjisë, me politika dhe masa konkrete që kontribuojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e qeverisjes lokale.
