Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook zhvillimin e një trajnimi të rëndësishëm në fushën e kërkim-shpëtimit urban, në bashkëpunim me Ushtrinë e Republikës Federale të Gjermanisë.
Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim u realizua “Trajnimi Bazik për Kërkim-Shpëtim Urban”, ku morën pjesë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ushtarakë gjermanë.
Sipas Maqedoncit, ky aktivitet dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në ngritjen e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e situatave emergjente dhe operacionet e kërkim-shpëtimit. Pjesëmarrja e ushtarëve gjermanë, theksohet në postim, ka kontribuar në shkëmbimin e përvojave, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e standardeve të përbashkëta të trajnimit.
Postim i plotë:
Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim u realizua Trajnimi Bazik për Kërkim-Shpëtim Urban me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së dhe të Ushtrisë së Republikës Federale të Gjermanisë.
Ky trajnim dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e kërkim-shpëtimit dhe menaxhimit të situatave emergjente. Pjesëmarrja e ushtarakëve gjermanë kontribuoi në shkëmbimin e përvojave, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e standardeve të përbashkëta të trajnimit.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi bazike në kërkim-shpëtim urban, duke përfshirë teknikat e kërkimit, procedurat e shpëtimit, koordinimin operacional, punën ekipore dhe reagimin në skenarë të fatkeqësive urbane.
FSK vazhdon të forcojë kapacitetet e saj profesionale përmes partneriteteve strategjike me shtetet aleate.
