Publicisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke kritikuar veçanërisht përçarjet brenda partive opozitare dhe qëndrimet kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.
Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Dosti e ka titulluar reagimin e tij “Matrjoshkat serbo-shqiptare të politikës së sotme kosovare”, duke pretenduar se përplasjet politike po sjellin pasoja për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Ai është ndalur te gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun, duke i cilësuar ata si “rebelë” dhe duke veçuar Avdullah Hotin si një prej figurave kryesore.
Dosti ka bërë akuza të ashpra edhe ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe ish-emisarit amerikan Richard Grenell, ndërsa ka pretenduar për ndikime të jashtme në zhvillimet politike në Kosovë. Për këto pretendime, ai nuk ka paraqitur prova në shkrimin e tij.
Në reagim, Dosti ka kritikuar edhe figura të tjera politike nga LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja, duke i akuzuar se, sipas tij, po kontribuojnë në thellimin e krizës politike.
Ai ka përmendur gjithashtu disa analistë dhe figura publike, për të cilët ka përdorur gjuhë fyese dhe akuza të rënda.
Në fund të shkrimit, Dosti ka bërë thirrje që, sipas tij, qytetarët të reagojnë ndaj atyre që i konsideron përgjegjës për situatën politike, duke e krahasuar të keqen me “farën e Hisllit”, e cila, sipas tij, “rritet e shtohet” nëse nuk largohet nga rrënjët.
