Lajme

Mazrekaj: Gjergj Dedaj më tha se e kishte rrahur Hashim Thaçi, në Hagë deklaroi se atëherë “nuk kishte qenë normal”

Themeluesi dhe botuesi i gazetës “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, ka publikuar një fotografi të realizuar menjëherë pas luftës në redaksinë e gazetës në Cyrih, ku shihet gjatë një takimi me Gjergj Dedajn.

Mazrekaj ka treguar se gjatë atij takimi Dedaj i kishte rrëfyer me bindje se ishte ndaluar dhe rrahur gjatë luftës nga Hashim Thaçi, së bashku me persona të tjerë.

Sipas tij, duke i besuar rrëfimit të Dedajt, ia kishte mundësuar që në gazetën “Bota Sot” të shkruante dhe të fliste publikisht për atë që pretendonte se i kishte ndodhur.

“Për vite me radhë ai shkroi dhe foli kundër Thaçit dhe rrethit të tij. Më vonë mori poste dhe privilegje nga po ato struktura që më parë i kishte akuzuar”, ka shkruar Mazrekaj.

Ai ka përmendur edhe dëshminë e Dedajt në Gjykatën Speciale në Hagë, ku ky i fundit kishte deklaruar se në shumicën e deklaratave të dhëna pas luftës “nuk kishte qenë normal” dhe se disa prej tyre i kishte ekzagjeruar.

“Kjo fotografi për mua nuk është vetëm një kujtim. Ajo tregon se sa shumë mund të ndryshojnë fjalët dhe qëndrimet e një njeriu, varësisht nga interesat, postet dhe rrethanat”, ka përfunduar Mazrekaj.

Të Ngjashme