Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në funksionin e Komitetit Drejtues për Planin e Rritjes, ku u diskutua për ecurinë e zbatimit të reformave, për gjendjen e projekteve ekzistuese, si dhe të programeve IPA.
Kryeministri Kurti me këtë rast tha se më 15 korrik i kanë dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë zyrtar për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes.
“Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te KE-ja 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153,3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian. Aktualisht, KE-ja është duke kryer vlerësimin e pas vlerësimit, Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi”, tha kryeministri.
Ai njoftoi se në fillim të javës që vjen Kuvendit do t’i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, ku përfshihen dy amendamente për projektet nga IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare IPA 2026-2027, nga të cilat Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro.
Kryeministri Kurti theksoi se, marrë së bashku nga Plani i Rritjes dhe IPA, janë mbi 400 milionë euro që Kosova do të përfitojë për qeverisje të mirë e zbatim të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Tani vëmendja duhet të jetë te zbatimi i 22 reformave që skadojnë në fund të dhjetorit sivjet, në vlerë prej 131,4 milionë euro në fonde të BE-së. Mbi një e treta e këtyre reformave apo saktësisht 8 sosh kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend. Bëhet fjalë për 10 projektligje që skadojnë më 31 dhjetor 2026. Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t’i miratojmë në qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projekt-ligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat më të shpejtë. Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humben”, tha ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë,
I nderuari z. Jeton Zulfaj, Kryenegociator i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinator Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Kam kënaqësinë të hap mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian në funksionin e tij si Komiteti Drejtues për Planin e Rritjes, e në të cilin do të diskutojmë për ecurinë e zbatimit të reformave, për gjendjen e projekteve ekzistuese, si dhe të programeve IPA.
Më 15 korrik i kemi dorëzuar Komisionit Evropian (KE) raportin e parë zyrtar për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes.
Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te KE-ja 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153,3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian (BE). Aktualisht, KE-ja është duke kryer vlerësimin, e pas vlerësimit, Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi.
Ndërkohë, në fillim të javës që vjen, Kuvendit do t’i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, e ku përfshihen dy amendamente për projektet nga IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare IPA 2026-2027, nga të cilat Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro. Presim nga zyra ligjore dhe Ministria e Financave të përfundojnë pa vonesa opinionet që u kërkohen.
Marrë së bashku nga Plani i Rritjes dhe IPA janë mbi 400 milionë euro që Kosova do të përfitojë për qeverisje të mirë e zbatim të reformave drejt anëtarësimit në BE.
Në anën tjetër, siç jeni njoftuar edhe nga Koordinatori Kombëtar, nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, 6 nuk arritën që të zbatohen me kohë. Për rrjedhojë, nga vlera prej 90,7 milionë euro e paraparë për afatin e qershorit, nuk u përfituan mbi 40 milionë euro.
Arsyeja e mospërfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila pamundësoi miratimin e ligjeve.
Megjithatë, të gjitha projektligjet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e radhës së Kuvendit.
Pra, nga bllokada në Kuvend nuk dështon arritja apo realizimi i reformave të parapara në Planin e Rritjes dhe puna e mirë e qeverisë, por do të humbin mjetet e dedikuara për to.
Tani vëmendja duhet të jetë te zbatimi i 22 reformave që skadojnë në fund të dhjetorit sivjet, në vlerë prej 131,4 milionë euro në fonde të BE-së. Mbi një e treta e këtyre reformave apo saktësisht 8 sosh kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend.
Bëhet fjalë për 10 projektligje që skadojnë më 31 dhjetor 2026. Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t’i miratojmë në qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projekt-ligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat më të shpejtë.
Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humben.
Pra, po e përsëris, që për shkak të bllokadës në Kuvend nuk do të humbet asnjë reformë e paraparë, por do të humbin mjetet e dedikuara nga Plani i Rritjes për reforma.
Kuvendi është pushtet i ndarë nga qeveria. Është një nga tri shtyllat e pushtetit në shtet demokratik. Përgjegjësia kryesore e Kuvendit është kalimi i ligjeve dhe mbikëqyrja e qeverisë. Për të kryer këtë funksion, Kuvendi duhet të jetë funksional. Ne jemi demokraci me pluralizëm shoqëror dhe politik dhe për Kuvendin, si institucioni më i lartë përfaqësues e ligjvënës, kemi përgjegjësi të përbashkët.
Qytetarët kanë përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt në Kuvend. Askujt nuk i kanë dhënë përgjegjësi absolute, rrjedhimisht secili subjekt ka përgjegjësi sipas peshës së votës së qytetarëve.
Sipas njoftimit të pardjeshëm të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor. Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta në më pak se dy vite.
Zgjedhjet e reja janë të panevojshme e të kushtueshme. Ne tashmë kemi kryetare të Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente.
Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi.
Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta.
Në vazhdim do t’i jap fjalën Koordinatorit Kombëtar për Reforma të Planit të Rritjes për të bërë një prezantim të gjendjes së reformave dhe projekteve investuese në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor
Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe vëmendjen tuaj.

