Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët javë më parë paraqitën dy rezoluta për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Në takim u diskutua për Rezolutën nr. 1246, që mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila kërkon vazhdimin e pranisë së forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.
Kurti theksoi se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i vendit në aleancë mbeten prioritete kyçe për Qeverinë, ndërsa ritheksoi qëndrimin që kampi Camp Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer
Ai njoftoi gjithashtu se Qeveria këtë javë ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, duke theksuar se ajo synon të ndihmojë në luftimin e kontrabandës, terrorizmit dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, por jo si zëvendësim i KFOR-it.
Sipas Kurtit, Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është më i fortë se kurrë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer
Njoftimi i plotë:
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët javë më parë paraqitën dy rezoluta të rëndësishme për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krahas falënderimeve për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë Kurti u shprehi atyre mirënjohje të thellë për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë prioritete kyçe për Qeverinë, duke shtuar se ato janë thelbësore për sigurinë në rajon. Në këtë kontekst ai veçoi thirrjen e kongresistëve që katër shtetet jo-njohëse anëtare të aleancës që ta njohin Republikën e Kosovës, duke ia hapur derën vendit tonë që të anëtarësohet në NATO.
Duke theksuar se do të ishte një rritje e jashtëzakonshme e sigurisë rajonale, por edhe në interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, Kryeministri në detyrë Kurti e ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane.
Ai i informoi kongresistët se këtë javë Qeveria ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, ndërsa theksoi se qëllimi i saj është të ndihmojë në përmbushjen e synimeve të sigurisë kombëtare, si p.sh. luftimi i kontrabandës dhe terrorizmit, e po ashtu ruajtja e infrastrukturës kritike. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Xhandarmëria nuk është menduar si zëvendësim i KFOR-it, por si bashkëpunëtore e afërt me të.
Duke përmendur se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, Kryeministri në detyrë Kurti tha se bashkëpunimi në këtë fushë ndërmjet dy vendeve është më i fortë se kurrë.
Në fund të bisedës, Kryeministri në detyrë Kurti dhe katër kongresistët u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në përputhje me vlerat e përbashkëta të Kosovës dhe SHBA-së.
