Edhe pse sezoni veror i pushimeve ka përfunduar, bregdeti shqiptar vijon të mbetet një destinacion i preferuar për qytetarët e Kosovës.
Temperaturat e larta kanë bërë që shumë familje nga Kosova të zgjedhin edhe këtë fundjavë për të udhëtuar drejt bregdetit shqiptar.
Fluks i lartë i lëvizjeve ka nisur orët e para të mëngjesit të sotëm në pikën e kalimit kufitar të Morinës, ku mijëra qytetarë dhe automjete kanë hyrë në territorin shqiptarë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Kukës, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, vetëm gjatë intervalit kohor nga ora 05:00 deri në 09:15 kanë hyrë në Shqipëri 15 mijë e 823 qytetarë të Kosovës.
Fluksi i lartë është shoqëruar edhe me një numër të konsiderueshëm automjetesh. Gjatë së njëjtës periudhë, në territorin shqiptar kanë hyrë 4 mijë e 107 mjete të vogla dhe autobusë.
