Lajme

Me pranga në duar, Vezir Haziraj del para Gjykatës

Janë publikuar pamjet e para të Vezir Hazirajt duke u futur në gjykatën e Pejës.

Media ka siguruar pamjet ku ai shihet me pranga në duar duke hyrë në objektin e Gjykatës.

Gjatë ditës Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe kanosje.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 7 gusht në fshatin Orroberdë të Istogut, pas një mosmarrëveshjeje, Haziraj dyshohet se ka shtënë me një pushkë gjuetie të modifikuar në drejtim të Dardan Haxhijajt, duke e plagosur në kofshë dhe duke i shkaktuar lëndime të rrezikshme për jetën.

Prokuroria thotë se pas ngjarjes i dyshuari është larguar dhe ka qëndruar në arrati deri më 15 gusht, ndërsa gjatë kësaj kohe dyshohet se ka publikuar edhe mesazhe kërcënuese ndaj zyrtarëve policorë.

Paraburgimi kërkohet për shkak të rrezikut të ikjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprave penale, ndërsa Prokuroria vlerëson se masat më të buta nuk do të ishin të mjaftueshme.

Të Ngjashme