Analisti Bujar Nallbani ka folur për reagimet që ka marrë pas një deklarate të tij lidhur me vendimet e Gjykatës Speciale dhe përgjegjësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së.
Gjatë një paraqitjeje televizive, Nallbani tha se është përballur me kritika dhe ofendime, duke treguar se është quajtur edhe “antishqiptar” vetëm pse ka shprehur qëndrimin e tij mbi vendimet e Speciales, transmeton “Bota sot”.
Ai deklaroi se vendimet e Gjykatës Speciale janë bazuar, sipas tij, në materiale dhe fakte të mbledhura gjatë një periudhe disa-vjeçare, përfshirë materiale nga burime serbe dhe shqiptare.
“Si mendoni se Gjykata Speciale do të japë mendime të padrejta? Vendimet e saja janë puritane, të cilat bazohen mbi fakte, të cilat bazohen edhe nga ana e Serbisë edhe nga ana e shqiptarëve të Kosovës dhe janë të grumbulluara të gjitha, janë qëmtuar gjashtë vjet e kusur”, tha Nallbani.
Ai tregoi se pas intervistës së tij kishte marrë reagime të shumta.
“Më janë turrur të gjithë duke më thënë në atë intervistë se është antishqiptar, duke më sharë. Nëse unë jam shqiptar, jam më shumë se ata që shajnë, sepse të thuash Gjykata Speciale ka të drejtë nuk e them sepse njoh ata apo se kanë fytyra të bukura”, u shpreh ai.
Nallbani theksoi se qëndrimin e tij e bazon te faktet e paraqitura në proceset gjyqësore.
“Unë i dëgjova nga faktet që paraqesin, i quaj të fajshëm dhe akoma nuk na takon neve t’i quajmë të fajshëm apo të pafajshëm, se ka një Gjykatë Apeli”, tha ai.
Më tej, ai bëri një deklaratë të fortë lidhur me pretendimet për vrasjen e shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
“Por, të vrasësh shqiptarë në kuadër të luftës, të vrasësh kundërshtarë politikë për të marrë pushtet dhe ta marrësh këtë pushtet, ta trashëgosh dhe të marrësh pasuri kombëtare, t’ua lësh fëmijëve këto resurse dhe këta fëmijë të bëhen borgjezët e ardhshëm…”, deklaroi Nallbani.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur vendimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë kanë nxitur reagime të ndryshme në Kosovë dhe në diasporë.
Nallbani, ndërkaq, tha se nuk duhet të paragjykohet vendimi përfundimtar, pasi procesi gjyqësor ende mund të vazhdojë në shkallët e tjera të drejtësisë.
