Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj zhvillimeve dhe kritikave që po shoqërojnë partinë, duke theksuar se LDK do t’i tejkalojë sfidat përmes debatit të brendshëm dhe demokracisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haziri tha se i kupton aktivistët dhe anëtarët që dëshirojnë ta shohin LDK-në sërish forcën e parë politike, por kritikoi ata që, sipas tij, fillimisht e lavdëruan partinë dhe më pas “shkruan nekrologji” për të.
Ai theksoi se LDK i takon anëtarësisë dhe jo funksionarëve, duke shtuar se partia ka kapacitet të përballet me sfidat e Republikës përmes marrëveshjeve politike, debatit të brendshëm dhe respektimit të demokracisë së brendshme.
“Pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje. Stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalon përmes zyrave të LDK-së”, ka shkruar Haziri, duke shtuar se rikthimi i madh i partisë do të vijë përmes një marrëveshjeje të gjerë politike, pa cenuar demokracinë e brendshme.
