Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ka pranuar Raportin e Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2025, duke vlerësuar se raporti konfirmon menaxhim të qëndrueshëm financiar dhe pajtueshmëri të përgjithshme me legjislacionin në fuqi.
Sipas ministrisë, ZKA ka dhënë opinion të pa-modifikuar për pasqyrat financiare vjetore, që do të thotë se ato paraqesin drejt dhe saktë gjendjen financiare të institucionit në të gjitha aspektet materiale.
Në njoftim thuhet se gjetjet dhe rekomandimet e evidentuara lidhen kryesisht me nevojën për përmirësimin e proceseve administrative dhe të kontrollit të brendshëm, pa cenuar besueshmërinë e pasqyrave financiare.
Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të përgjegjshëm të fondeve publike, ndërsa rekomandimet e ZKA-së do të trajtohen me prioritet për të avancuar qeverisjen e mirë dhe efikasitetin institucional.
“Auditimi i jashtëm mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e kontrolleve të brendshme dhe avancimin e standardeve të menaxhimit financiar e administrativ, në funksion të rritjes së performancës institucionale”, theksohet në njoftim.
