Lajme

Misioni i FSK-së në Gazë, sinjal i fortë për NATO-n? Eksperti i sigurisë tregon çfarë mund të ndodhë

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, e sheh përfshirjen e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë si një zhvillim me rëndësi të madhe strategjike dhe politike, që sipas tij mund të ndikojë edhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Në një prononcim për “Bota sot”, Elezi deklaruar se pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare nuk duhet parë vetëm si një angazhim ushtarak jashtë territorit, por si një ndryshim i rëndësishëm në pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

“Vendimi i Kosovës për t’iu bashkuar zyrtarisht Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë nuk duhet parë thjesht si një mision i radhës i FSK-së jashtë vendit. Ky është një zhvillim me peshë të veçantë strategjike dhe politike për Republikën e Kosovës.

Për vite me radhë, Kosova ka qenë një vend që ka përfituar nga siguria ndërkombëtare. Sot po shohim një transformim të rëndësishëm: Kosova po kalon gradualisht nga një “konsumator i sigurisë” në një kontribuues dhe eksportues të sigurisë.

Ky është një ndryshim fundamental në mënyrën se si duhet të perceptohet Kosova në arenën ndërkombëtare”, ka vlerësuar ai.

Image
Bedri Elezi

Sipas Elezit, pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision ndërkombëtar, në kuadër të një strukture ku roli amerikan është qendror, përbën dëshmi të rritjes së besimit ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës.

“Pjesëmarrja e FSK-së në një mision ndërkombëtar të udhëhequr në kuadër të një strukture ku roli amerikan është qendror, është një dëshmi se SHBA-ja dhe partnerët e saj e shohin FSK-në jo vetëm si forcë që duhet të mbrojë territorin e Kosovës, por si institucion që mund të marrë përgjegjësi edhe përtej kufijve të saj. Vetë komandanti i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, ka vlerësuar gatishmërinë dhe kontributin e Kosovës në këtë mision.

Nga këndvështrimi strategjik, ky është një sinjal jashtëzakonisht i rëndësishëm për Uashingtonin. Kosova po i thotë aleatit të saj strategjik: “Ne nuk kërkojmë vetëm siguri nga ju; ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi për sigurinë ndërkombëtare së bashku me ju.” Ky është pikërisht mentaliteti i një shteti që synon të jetë pjesë e strukturave euroatlantike. Dhe këtu qëndron mesazhi më i madh politik”, ka shpjeguar ai.

Duke folur për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO, Elezi e konsideron vitin 2027 si një periudhë potencialisht të rëndësishme, por thekson se një anëtarësim në atë vit nuk mund të konsiderohet i garantuar.

“Unë do ta konsideroja këtë zhvillim si një paralajmërim serioz strategjik dhe si një tjetër hap drejt integrimit të plotë euroatlantik të Kosovës. Nëse ky proces vazhdon me të njëjtin ritëm, me forcimin e kapaciteteve të FSK-së, pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare, përafrimin me standardet ushtarake perëndimore dhe thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara, atëherë viti 2027 mund të jetë një vit vendimtar për objektivin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Nuk do të thosha se anëtarësimi në NATO në vitin 2027 është tashmë një vendim i marrë apo një fakt i garantuar. Por do të thosha diçka tjetër: zhvillime të tilla krijojnë terrenin politik, ushtarak dhe strategjik për një hap të tillë.

Kosova po ndërton profilin e një shteti që nuk kërkon vetëm mbrojtje, por është i gatshëm të kontribuojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Në fund, Elezi ka vlerësuar se ky zhvillim mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë, si dhe në zhvillimin profesional të FSK-së.

“Për marrëdhëniet me SHBA-në, ky është një investim strategjik. Për partnerët evropianë, është dëshmi e rritjes së përgjegjësisë së Kosovës. Për FSK-në, është një mundësi e jashtëzakonshme për të fituar përvojë operative ndërkombëtare dhe për t’u afruar edhe më shumë me standardet e forcave të NATO-s. Prandaj, ky nuk është vetëm një nënshkrim.Është një sinjal politik. Është një sinjal ushtarak. Është një sinjal diplomatik. Dhe mbi të gjitha, është një sinjal se Kosova po përpiqet të ndryshojë pozitën e saj në sistemin ndërkombëtar: nga një vend që dikur kishte nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, në një shtet që sot është i gatshëm të marrë pjesë në garantimin e sigurisë ndërkombëtare.

Nëse kjo rrugë vazhdon, atëherë nuk do të ishte e tepruar të themi se Kosova po hyn në fazën e fundit të transformimit të saj nga përfituese e sigurisë në partnere të sigurisë euroatlantike. Dhe pikërisht këtu duhet lexuar rëndësia e këtij vendimi: Gaza mund të jetë një mision konkret, por mesazhi strategjik shkon shumë më larg se Gaza”, ka përfunduar Elezi për “Bota sot”.

Të Ngjashme