Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë janë ekzekutuar pagesat për përfituesit e masës së mbështetjes prej 100 eurosh, të dedikuar për punëtorët e sektorit privat në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Sipas Muratit, mjetet janë transferuar për të gjithë ata qytetarë që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara për përfitim nga kjo skemë mbështetëse, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga institucionet përgjegjëse.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se procesi për mbështetjen financiare të studentëve është ende në fazën e vlerësimit.
Komisioni përgjegjës po shqyrton aplikimet e pranuara dhe, sipas ministrit, publiku do të njoftohet sapo të përfundojë përgatitja e listave për ekzekutimin e pagesave.
