Një 29 vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve të rënda të marra në një aksident trafiku në fshatin Llukar të Prishtinës, ku u përfshinë një automjet dhe një motoçikletë.
Sipas mjekut, Naser Syla nga Klinika Emergjente, pacienti kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e rrëzimit nga motoçikleta.
Ekipi mjekësor ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të reanimimit kardiopulmonar (RCP), por, pavarësisht përpjekjeve, pacienti nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Një pacient i lindur në vitin 1997 është sjellë nga ndihma e shpejtë në Klinikën Emergjente, pa shenja jete, pas një aksidenti në komunikacion, ku ishte rrëzuar nga motoçikleta. Pavarësisht të gjitha masave të reanimimit kardiopulmonar (RCP) të ndërmarra nga ekipi kujdestar, pacienti nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në ora 21:40”, ka theksuar Syla për RTK-në.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:20 dhe në të janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën se në fshatin Llukarë të Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit motoçiklisti ka vdekur. Vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, ka theksuar për RTK-në Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
