Gushti nuk ka qenë një muaj pushimesh për shumicën e socialistëve, që pavarësisht ndërprerjes së aktivitetit në Kuvend, është dashur të bëjnë takime të shpeshta, herë të diktuara nga kryeministri Edi Rama, dhe herë të tjera për të bërë gati terrenin për ndryshimet e pritshme në qeveri.
Që prej prezantimit të Besës nga Rama, shumëkush ka pritur që ai të bëjë lëvizje në qeveri, si një përgjigje për protestat e përditshme që po mbahen poshtë zyrës së tij, që prej datës 31 Maj.
Megjithatë ndryshimet konkrete pritet të bëhen në javën e parë të Shtatorit, ku socialistët do të thërrasin Asamblenë Kombëtare, një forum që ka shërbyer shpesh për Ramën, si një arenë ku njofton emra të rinj që i bashkohen kabinetit.
SHEKULLI mëson se disa eksponentë të lartë në Partinë Socialiste, kanë shprehur hapur ambiciet e tyre për poste në qeveri. I pari që duket se synon për të qenë numri dy i qeverisë është Ervin Demo, i cili aktualisht mban postin e Ministrit për Pushtetin Vendor.
Burime jozyrtare i thanë Shekullit, se Demo ka njoftuar miqtë e tij të afërt në qytetin e Beratit, të cilin e drejtoi disa vite më parë si kryebashkiak, se Rama do t’i besojë atij postin e zëvendëskryeministrit që aktualisht mbahet nga Albana Koçiu.
Kjo e fundit nga ana e saj, ka shpeshtuar daljet publike ditëve të fundit, duke u shprehur për disa tema me impakt social, siç ishte dhe njoftimi i shpërndarë për mediat gjatë ditës së sotme. Koçiu njoftoi nisjen e një plani të ri për Shqipërinë Sociale, që synon të ndihmojë çiftet e reja për strehimin.
Nga ana tjetër Demo është shfaqur në jo pak raste në krahun e Ramës, edhe gjatë takimeve që ai ka pasur jashtë vendit, duke u konfirmuar si një njeri i besuar i kryeministrit.
Por Demo nuk është i vetmi që ka ambicie për më lart në PS… Burime i thanë Shekullit gjithashtu se Gent Gazheli, që më parë ka drejtuar Drejtorinë e Doganave, dhe aktualisht mban postin e zv.ministrit të Mjedisit, synon që të ngjisë disa shkallë në karrierë, duke lobuar për të qenë në krye të Ministrisë së Financave, post që aktualisht mbahet nga Petrit Malaj.
Ambicia nuk i mungon as kreut të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, i cili kërkon rikthimin në qeveri. Manja duket se ‘i ka vënë syrin’ karriges së Besfort Lamallarit, që dikur e ka pasur vartës në kohën kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë.
Manja, që mban dhe postin e drejtuesit politik të PS në qarkun e Dibrës, është një prej politikanëve të konsoliduar tashmë në radhët e të majtëve, dhe me një eksperiencë të gjatë dhe në drejtimin e komisioneve parlamentare.
Edhe sektori i Mbrojtjes nuk është më pak i lakmuar.
Në skenë ka dalë një emër i ri për nga përvoja politike, por jo me pak peshë për shkak të mbiemrit, Denion Meidani.
Ky i fundit deri tani ka mbajtur postin e ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa babai i tij Rexhep Meidani ka dhënë një kontribut të gjatë në të majtën shqiptare, duke mbajtur edhe postin e presidentit.
Aktualisht postin e ministrit të Mbrojtjes e mban Ermal Nufi, që ka qenë një nga emrat e shumtë teknikë që Rama ka sjellë në qeveri vitet e fundit.
Megjithatë, pavarësisht dëshirës së mirë të personazheve të sipërpërmendur, Rama ka ditur të surprizojë gjithnjë me ndryshimet e kryera. Një tjetër emër që ka vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e saj në qeveri, është dhe ai i ministres së Shëndetësisë Evis Sala. Pak ditë më parë në media u shpërnda lajmi, se Sala kishte dhënë dorëheqjen, megjithatë një njoftim i tillë nuk u konfirmua asnjëherë zyrtarisht. Nga ana tjetër, Rama u ka kërkuar socialistëve, që përpos zhvillimeve në pushtetin qendror, të nisin nga përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke përzgjedhur kandidatët e mundshëm në secilën prej bashkive të vendit, që pritet të zvogëlohen ndjeshëm në numër me Reformën e re Territoriale. /SHEKULLI
