Të mërkurën pritet të shpallet vendimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje arbitrare, torturë, vrasje dhe zhdukje të detyruar në Hagë.
Si përkrahje ndaj të gjykuarëve, të shtunën në sheshet e Prishtinës është mbajtur edhe një tubim, tubim ky i organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Ndërsa, të hënën kjo platformë ka njoftuar se nga 15 shtatori, aktivitetet e platformës do të zhvendosen në Hagë, ku së bashku me diasporën shqiptare do të organizohet aktiviteti “Nata e Pritjes”.
Më 16 shtator, kur pritet vendimi përfundimtar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, platforma ka shprehur shpresën për një ditë feste për Kosovën.
Në anën tjetër, deputetë të ndryshëm nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë bërë thirrje për armatosje, madje disa deklarojnë se nëse dënohen edhe NATO duhet të japë përgjegjësi.
Ndërsa, njëri ndër themeluesit e njësitit “Shqiponjat e Zeza”, Fehim Cela, kërkon protestë për mbrojtje të viktimave e vrasjeve të pas luftës në Kosovë.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Cela thotë se familjet e viktimave ende presin të dinë se kush i vrau të dashurit e tyre, kush i urdhëroi këto krime, kush i organizoi dhe kush i ndihmoi.
“Propozoj të organizohet një protestë për viktimat e vrasjeve dhe krimeve të pasluftës në Kosovë – për të gjithë ata njerëz që u vranë, u plagosën apo u sulmuan dhe për shumë prej të cilëve, edhe pas kaq vitesh, ende nuk është zbardhur e vërteta dhe nuk është vendosur drejtësia.
Janë shumë raste që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje. Familjet e viktimave ende presin të dinë se kush i vrau të dashurit e tyre, kush i urdhëroi këto krime, kush i organizoi dhe kush i ndihmoi që ato të mbeten të pazbardhura. Janë emra dhe raste që dihen, janë histori që janë diskutuar ndër vite, por drejtësia për to ka munguar”, deklaron Cela.
Sipas tij, duhet të organizohen protesta për ata që nuk kanë më mundësi të flasin për veten e tyre.
“Në një kohë kur po organizohen protesta dhe mobilizime për të mbrojtur persona të akuzuar apo të dyshuar për krime, duhet të ngrihet zëri edhe për ata që nuk kanë më mundësi të flasin për veten e tyre: për viktimat.
Duhet të protestojmë për ata që u vranë padrejtësisht, për ata ndaj të cilëve u kryen atentate, për familjet që mbetën pa më të dashurit dhe për të gjithë ata që u goditën vetëm pse kishin bindje tjetër politike, i përkisnin një partie tjetër apo guxuan të mendonin ndryshe”, thekson Cela.
Ai kërkon që ‘protesta të jetë për drejtësi’, gjersa shton se viktimat nuk duhet të kujtohen vetëm kur u konvenon politikisht.
“Kjo nuk duhet të jetë protestë kundër një partie apo në mbështetje të një partie tjetër. Duhet të jetë protestë për drejtësinë. Për një parim të thjeshtë: asnjë vrasje nuk duhet të harrohet dhe asnjë viktimë nuk duhet të ketë më pak vlerë për shkak të bindjeve të saj politike.
Nëse kërkojmë drejtësi për krimet, atëherë duhet ta kërkojmë drejtësinë për të gjithë. Nuk mund të ketë viktima që kujtohen vetëm kur na konvenon politikisht dhe viktima të tjera që heshtim t’i përmendim.
Prandaj, le të organizohet një protestë për viktimat e pasluftës. Për ata që u vranë. Për ata që u plagosën. Për ata që iu bënë atentate. Për familjet që presin drejtësi. Dhe mbi të gjitha, për të vërtetën që ende u detyrohemi.
Pa drejtësi për viktimat, nuk mund të ketë paqe të plotë me të kaluarën”, përfundon Cela.
Dhomat e Specializuara janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, nën presionin e fuqishëm të aleatëve ndërkombëtarë, dhe funksionojnë në Hagë sipas ligjeve të Kosovës, por me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
