Ata të cilët ju kundërvunë regjimit të Millosheviqit dhe parandaluan edhe masakra të tjera që kishte planifikuar Serbia, po presin verdiktin e Gjykatës Speciale. Ndërkohë, Prishtina po hyn në ditët e fundit të pritjes para 16 shtatorit, datës kur Gjykata Speciale në Hagë do ta shpallë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në kryeqytet tashmë kanë nisur përgatitjet për këtë ditë, ndërsa në sheshe dhe hapësira publike janë vendosur flamujt dhe simbolet e UÇK-së. Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar që seanca të përcillet drejtpërdrejt në ambient të hapur, në sheshin “Skënderbeu”.
Prishtina po merr pamje të veçantë në prag të 16 shtatorit. Flamujt e UÇK-së dhe simbolet e saj janë vendosur në hapësira të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa në qendër të qytetit kanë nisur përgatitjet për aktivitetet që do të zhvillohen në ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi për krerët e UÇK-së.
Çdo numër që zbret në këtë ekran na ofron me momentin e shumëpritur, vendimin e 16 shtatorit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Nga zemra e Prishtinës e deri te salla e gjyqit në Hagë të gjithë janë në pritje të një momenti, vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ndërkohë që në Prishtinë tashmë kanë nisur përgatitjet për kthimin e mundshëm të ish katër krerëve të UÇK-së.
Pikërisht për momentin e shpalljes së aktgjykimit, Komuna e Prishtinës ka nisur përgatitjet që seanca të përcillet në ambient të hapur, në sheshin “Skënderbeu”.
“Do ta organizojmë në një mënyrë me një ekran shumë të madh ku do të ftojmë të gjithë qytetarët që ta shikojmë së bashku seancën bashkë me organizatat e dala nga lufta edhe bashkë shpresojmë që do të festojmë pas vendimit më 16”, ka thënë Besiana Musmurati, nënkryetare e komunës së Prishtinës.
Vendimin për bashkëluftëtarët e tyre po e presin me ankth edhe në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Nga kjo organizatë thonë se presin që vendimmarrja të bazohet vetëm në prova dhe fakte dhe jo në ndikime politike.
