Banorët e Negrovcit e kanë pritur me zhgënjim vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ismet Krasniqi nga Negrovci, duke folur për KosovaPress, e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Ismet Krasniqi: Ata nuk mund t’i dënojnë në emrin tonë
“Vendimin e kemi parë shumë të padrejtë. Kemi prit krejt diçka tjetër. Është dënim i papranueshëm për shqiptarët në përgjithësi. Nuk ka pas asnjë lloj baze ligjore me i dënua të katërtit. Jemi shumë të mërzitur. Dënimi i papranueshëm. Të them të drejtën, tërë natën s’kemi fjetur se kemi prit krejt diçka tjetër. Por nuk do të rrimë me duar të kryqëzuara. Do ta kërkojmë drejtësinë. Ata, në emër të popullit të Kosovës, në emër të popullit shqiptar në përgjithësi, janë të pafajshëm. Ata nuk mund t’i dënojnë në emrin tonë”, tha Krasniqi.
Ai shpresat për ndryshimin e vendimit i sheh te institucionet e Kosovës, duke kërkuar që Qeveria dhe Kuvendi të ndërmarrin hapa.
Ismet Krasniqi: Parlamenti të tubohet, ta shfuqizojë atë gjykatë
“Shpresat jemi duke i mbajtur, me thënë të drejtën te qeveria jonë, në krye me Albin Kurtin, duhet të vetëdijesohet dhe ata duhet të tubohen, të bëhen bashkë, të na prijnë, parlamenti të tubohet, ta shfuqizojë atë gjykatë edhe të kthehet drejtësia në vend”, tha ai.
Krasniqi tregoi edhe për raportin e tij me Jakup Krasniqin, duke thënë se e ka njohur atë para, gjatë dhe pas luftës.
Ismet Krasniqi: Çka të them për bacin Jakup nuk di as ku t’ia nis e as ku ta mbaroj.
“Po, momente kemi për bacin Jakup shumë, shumë, shumë: edhe para luftës, gjatë luftës, pas luftës. Momente çka të them për bacin Jakup nuk di as ku t’ia nis e as ku ta mbaroj. Momente kemi shumë. E baci Jakup s’ka meritu në këtë mënyrë me u trajtu asnjëherë. Kanë vuajt bashkë me popullin. Kemi luftuar sa kemi patur mundësi e sot të dënohen ata me 25 vjet, e 18, e 13…”, tha Krasniqi.
I pyetur nëse do të marrë pjesë personalisht në protestat e paralajmëruara, Krasniqi tha se do të jetë prezent.
Ismet Krasniqi: Do të marr pjesë në protestë, vetëm nëse nuk jam gjallë
“Po, personalisht, po. Vetëm nëse nuk jam gjallë.”
Ndërsa, Xhevat Krasniqi, banor i Negrocit dhe fqinj i Krasniqit, e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke thënë se Jakup Krasniqi nuk është personi që mund të ketë kryer veprimet për të cilat është dënuar.
Xhevat Krasniqi: Jakupi jo për fshatin tonë, por krejt Kosovën është njeri i mirë, i pazëvendësueshëm
“Për Kosovën është shumë i dëmshëm, sepse ne kemi qenë në vend tonë. Jakupin e kemi kojshi, nuk është ai njeri që bën ato gjëra. Jakupi jo për fshatin tonë, por krejt Kosovën është njeri i mirë, i pazëvendësueshëm, nuk e ka merituar. Është edhe një shpresë e vogël. Shpresoj do Zoti punojnë dhe të shfuqizohet gjykata. Organizimi është i mirë. Do të ketë protesta, si jo, katër të pafajshëm”, tha Krasniqi.
Edhe Mirjeta Gjoka-Krasniqi, e cila e ka Jakup Krasniqin fqinj tha se vendimi i ka tronditur familjarët dhe banorët e fshatit.
Mirjeta Krasniqi: Jemi në emocione dhe nuk po na besohet që e kanë dënuar aq shumë
“Jakupin kushëri e kemi, ky vendim na ka tronditur të gjithëve. Kur u shpall vendimi na ka kthyer në luftë. E gjithë lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka ra poshtë, na ka tronditur. Tepër është i rëndë, jemi në emocione dhe nuk po na besohet që e kanë dënuar aq shumë. Ne duhet, qeveria dhe na si popull, duhet të mos ndalemi, kemi shpresë të vogël në Gjykatën e Apelit, nuk duhet të ndalemi. Duhet derisa të bëhet një vendim tjetër. Ata duhet të jenë të fortë, e të shpresojnë që duhet të merret një vendim lirues në Gjykatën e Apelit”, tha ajo.
Zahide Krasniqi, banore e Negrocit, tha se vendimi është përjetuar rëndë nga familja dhe qytetarët e Kosovës, duke shprehur pakënaqësi për dënimin e Jakup Krasniqit.
Zahide Krasniqi: Plus në emër të popullit, po qysh e dënon populli pjesëtarin e UÇK-së
“E kemi përjetuar shumë keq, e gjithë familja, e krejt Kosova. Dikush ka dalë në protesta. Më keq më nuk ka për Kosovën, shumë padrejtësi e madhe. Kanë luftuar për të drejtat e popullit, kemi qenë të shkelur gjithmonë, nuk e kemi pritur, ne menduam se do të festojmë, kjo ka qenë vdekje për neve. Atij i ka shkuar jeta edhe në burgje përpara. Ne me muaj e vite kemi çka me thënë, çka kemi hequr nëpër male, pa ngrënë e pa pi, fëmijët, masakrat, si nuk po i kujtohen, çka kemi përjetuar. Plus në emër të popullit, po qysh e dënon populli pjesëtarin e UÇK-së. Çka ka bërë Haga, ku është me shkel të drejtën e UÇK-së të pastër. Me vjet kisha fjetur para qeverisë që me u rrëzu gjykata”, tha Krasniqi.
Gjykata Speciale në Hagë e dënoi Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, sa edhe Hashim Thaçin, ndërsa Kadri veselin me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.
