Lajme

“Nëse bie shi apo vonohet autobusi, faji i Dejonës” – Gashi ironizon Ramën, zbulon problemin e tij “të madh”

Analisti Lirim Gashi ka reaguar me një shkrim satirik ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke e akuzuar atë se po përpiqet ta shndërrojë Dejona Mihali në përgjegjësen kryesore për problemet dhe dështimet me të cilat përballet kryeqyteti.

Përmes një serie krahasimesh ironike, Gashi thotë se Rama nuk është zemëruar me Mihalin për atë që ka thënë, por sepse, sipas tij, ajo është shndërruar në një “armik politik” të përshtatshëm në një kohë kur qytetarët po kërkojnë llogari për premtimet e pambajtura, raportet e auditorëve dhe problemet komunale.

Analisti ironizon më tej duke pretenduar se, sipas logjikës së Ramës, çdo problem në Prishtinë lidhet me Dejonën Mihali, duke e paraqitur atë si shkaktare të gjithçkaje – nga vonesat e autobusëve deri te fenomenet natyrore.

Në shkrimin e tij, Gashi shkon edhe më tej, duke përmendur në mënyrë satirike krijimin e një “Agjencie për Identifikimin e Fajit të Dejonës”, e cila do të kishte për detyrë të gjente lidhjen e saj me çdo problem që paraqitet në kryeqytet.

Sipas tij, problemi kryesor për Ramën nuk është Mihali, por perceptimi i qytetarëve, të cilët, siç shkruan ai, po e shohin me gjithnjë e më shumë skepticizëm kontrastin mes premtimeve para zgjedhjeve dhe rezultateve gjatë qeverisjes.

Në fund, Gashi arrin në përfundimin se përpjekja për ta lidhur çdo dështim me një kundërshtar politik nuk i zgjidh problemet reale, duke përdorur metaforën e “kaçavidës universale” për të argumentuar se problemi nuk qëndron te personi që fajësohet, por te mënyra se si menaxhohen sfidat dhe përgjegjësitë politike.

Shkrimi i plotë:

Përparim Rama, në përpjekjen e tij për t’u bërë kryetar i LDK-së falë “meritave” të jashtëzakonshme për t’u paguar nga taksapaguesit kosovarë, në këmbim të lënies së mbeturinave në çdo cep të Prishtinës, vendosi të merret me Dejona Mihalin sikur ajo t’ia kishte këputur një hallkë të zinxhirit bankar përmes të cilit paratë orientohen drejt destinacionit të tyre të fundit: administratës tatimore britanike.

Përparim Rama nuk u zemërua me Dejonën sepse ajo tha diçka të gabuar. Jo. Ai u zemërua sepse ajo pati guximin të ekzistojë në një kohë kur ai kishte nevojë urgjente për një armik imagjinar politik.

Në fund të fundit, është shumë më e lehtë të luftosh me Dejonën sesa me faturat, me raportet e auditorëve, me premtimet e pambajtura dhe me kujtesën e bezdisshme të qytetarëve, e cila, për fat të keq, nuk fshihet me një konferencë shtypi.

Thuhet se politika është arti i zgjidhjes së problemeve. Por në rastin e Përparimit, duket se kemi të bëjmë me një risi të madhe administrative: arti i shndërrimit të çdo problemi në Dejona Mihali.

Nëse bie shi — faji i Dejonës. Nëse nuk bie shi — prapë faji i Dejonës. Nëse autobusi vonohet — sabotim i Dejonës. Nëse autobusi vjen në kohë — provokim i Dejonës.

Në këtë logjikë revolucionare, graviteti u shpik nga Njutoni, por përgjegjësinë morale për rënien e mollës e mban Dejona Mihali.

Madje disa burime jozyrtare pohojnë se Përparimi ka propozuar krijimin e një institucioni të ri publik: Agjencinë për Identifikimin e Fajit të Dejonës, e cila do të punonte 24 orë në ditë për të zbuluar lidhjen e saj me çdo fenomen natyror, ekonomik apo kozmik.

Nëse një ditë ndodh të prishet ndonjë semafor në Prishtinë, raporti paraprak do të konkludojë se instalimi elektrik ishte i rregullt, por semafori kishte lexuar një status të Dejonës në Facebook dhe ishte tronditur emocionalisht.

Por problemi më i madh i Përparimit nuk është Dejona.

Problemi më i madh i tij është fakti se qytetarët kanë filluar ta shohin me dyshim atë magji të rrallë politike ku njeriu para zgjedhjeve paraqitet si shpëtimtar urbanistik, ndërsa pas zgjedhjeve si viktimë e përhershme e komenteve në internet.

Në fakt, po të vazhdojë kështu, historia mund ta kujtojë si kryetarin e parë që nuk ndërtoi aq shumë ura mbi lumenj, sa ndërtoi ura imagjinare midis çdo dështimi të vet dhe Dejonës Mihali.

Dhe kur një ditë historianët të studiojnë këtë fenomen, ata mund të arrijnë në përfundimin shkencor se Përparim Rama nuk e pa kurrë Dejonën si kundërshtare politike. Ai e pa si atë veglën universale që përdoret për çdo defekt, si kaçavidën e vetme në shtëpi me të cilën disa njerëz përpiqen të rregullojnë televizorin, frigoriferin, makinën larëse dhe, në raste dëshpërimi, edhe ekonominë.

Vetëm se, siç ndodh zakonisht në komeditë e mira të Kishonit, në fund del se problemi nuk ishte kaçavida. Problemi ishte mjeshtri.

Të Ngjashme