Deklarata e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do ta votojnë kandidatin për President të Kosovës, Bekim Sejdiun, ka hapur pikëpyetje të reja rreth sigurimit të votave të nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ky qëndrim vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur çdo votë në Kuvend mund të jetë përcaktuese për shmangien e një tjetër bllokade institucionale.
Në këtë situatë, shtrohet pyetja nëse kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së mund ta rrezikojë zgjedhjen e Sejdiut dhe, në rast të mungesës së votave apo kuorumit, nëse partitë politike duhet të kërkojnë rrugë të tjera për të siguruar një zgjidhje.
Një nga opsionet që mund të rikthehet në tavolinë është dialogu me Aleanca për Ardhërinë e Kosovës
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini kishte deklaruar më herët se AAK-ja do ta bëjë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit, nëse plotësohen pikat e propozuara nga kjo parti.
“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme, pa kushte ose kërkesa vetjake, të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë”, ka shkruar Gjini në Facëbook.
Në këtë situatë, analistët politikë kanë shprehur qëndrime të ndryshme, duke e parë situatën si një moment vendimtar për tejkalimin e krizës institucionale.
Njëra nga alternativat e përmendura është mundësia e negociatave me AAK-në për sigurimin e kuorumit, në mënyrë që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos dështojë dhe vendi të mos përballet me zgjedhje të reja.
Ndërkaq, një tjetër qasje e sheh më të vështirë zgjedhjen e presidentit para zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe propozon krijimin e një koalicioni të gjerë politik si rrugëdalje nga situata aktuale.
Qarri për AAK-në: Bën propagandë destruktive, por nuk pranon të ulet në tavolinë
Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se qëndrimi i gjatë deputetëve mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme, ndërsa paralajmëron pasoja edhe për vetë LDK-në.
“Në fakt duket se 6 deputetët problemor e zhurmaxhinjë arrivist të LDK-së, duan ta çojnë vendin me çdo çmim në zgjedhje të reja të parakohshme, zgjedhje të cilat e bëjnë gjendjen shumë të paparashikueshme pikësëpari për vet LDK dhe me siguri të100% do ta lëshojnë këtë parti, në përqindje njëshifrore dhe fusin në kaos të plotë politik e partiak.
Zgjedhjet e reja të parakohshme, nuk do të shkaktojnë më vetëm ndasi ideore, por edhe thellim të përçarjeve deri në ndarjen e partisë në degë dhe fraksione minore, për çka përgjegjësinë kryesor do ta mbajnë deputetët „musketar“ të LDK-së, ata që me „kryengritjen“ e tyre brenda partisë, po rrezikojnë qëllimisht, çuarjen e Kosovës në zgjedhje të parakohshme, thellimin e problemeve politike në vend, bllokimin e krijimit të institucioneve shtetërore dhe pengimin e qeverisjes stabile të shtetit tonë të brishtë”, ka thënë ai.
Sipas Qarrtit, përgjegjësinë për këtë situatë e ka adresuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Prandaj edhe kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shenjëstuar publikisht fajtorët duke sqaruar publikun e gjerë se gjashtë deputetë të kësaj partie kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë as prof. Dr. Bekim Sejdiun për President të Kosovës, ani pse në fakt, emnri i tij më tepër ishte ide dhe “kërkesë” konsensuale e vet LDK-së të cilën edhe kryeministri në detyrë dhe kryetari i partisë më të madhe në vend, e pranoi, por e refuzuakan 6 musketarët e rebeluar brenda vet LDK-së, me nxitje apo joshje nga jashtë partisë, duke rrezikuar edhe shkapëderdhjen më të madhe e tragjike të kësaj parti taradicionalisht institucionale.
Me qëndrimin e tyre rebelus, zhurmaxhinjët e dështuar parapolitik brenda LDK-së, përveçse po rrezikojnë që në seancën parlamentare për zgjedhjen e prof. Dr. Bekim Sejdiu-ut president, të mos ketë vota të mjaftueshme, ata qëllimisht nuk po lënë gur pa lëvizur, që të mos mund të garantohet as numri i mjaftueshëm i deputetëve që do të mund të qëndronin në sallë, për garantimin e kuorumit, në mënyrë që t`i pamundësohet prof.dr. Bekim Sejdiu zgjedhja për president të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar Qarri.
Tutje, ai ka rikujtuar edhe zhvillimet e vitit të kaluar dhe ofertat për koalicion mes LDK-së dhe LVV-së, duke thënë se dështimi për të arritur një marrëveshje ka ndikuar në përsëritjen e zgjedhjeve.
“Vitin e kaluar LDK nuk pranoi asnjë ofertë për koalicion të ofruar nga LVV, se po të ishte pranuar, vetëm një nga ofertat më të mira për te, nuk do të kishim pasë nevojë fare të mbanim dhe dy palë zgjedhje të parakohshme, të cilat serish nuk sollën zgjidhje të problemit, ndaj nëse 6 musketarët problematik të LDK-së bëhen shkaktar të shkuarjes së vendit serish në zgjedhje, qytetarët mund të frustrohen deri në ato përmasa sa LDK-në, me votën e tyre, ta qojnë buzë pragut zgjedhor dhe të mos ketë më as kush t`i ofrojë kësaj partie, koalicion qeverisës apo bashkëpunim politik, për krijimin e institucioneve dhe bashkëqeverisjen e vendit.
Edhe në rastin aktual, serish qëndrimi i deputetëve të LDK-së po rrezikon qëllimisht që Bekim Sejdiu të mos i sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur President i Kosovës, prandaj nëse deputetët e tjerë opozitar, ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj, nga të cilët edhe e kanë fituar mandatin e deputetit, do duhej që të paktën të qëndrojnë në seancë edhe nëse nuk votojnë, në mënyrë që prof. Dr. Bekim Sejdiu në seancën me kuorum të garantuar, të fitojë erdhe me shumicën e thjeshtë prej 61-63 votave të deputëve të partisë fituese dhe minoriteteve jo-serbe, për t’u zgjidhur njëherë e mirë erdhe çështja e zgjedhjes së Presidentit”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Qarri potencuar se një zgjidhje e tillë do të mundësonte krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe shmangien e një tjetër krize institucionale.
“Akt i cili do ta bënte të mundur edhe krijimin e institucioneve të qëndrueshme të shtetit dhe qeverisjen stabile të dalë nga legjislacioni i 11 me radhë, me mandat të plotë të Republikës së Kosovës, qoftë edhe duke provuar të bisedohet me deputetët e AAK-së, për të mirën e vendit, mosçuarjen e Kosovës serish në zgjedhje të parakohshme dhe për të shmangur një krizë të re institucionale, me të cilat është lodhur edhe populli i Kosovës.
Derisa Prof.dr. Bekim Sejdiu plotëson të gjitha kërkesat veçanërisht ato të LDK-së si kandidat institucionalist për president, mbrojtës besnik i ligjit dhe kushtetutës, garantues i vlerave kombëtare e shtetndërtimit, kandidat mbipartiak dhe profil i dëshmuar edhe ndaj parimeve të LDK-së, ky rast ideal i jep mundësi të jashtëzakonshme veçanërisht LDK-së për të dëshmuar vullnetin e vet të mirë dhe luajtur rol pozitiv për zgjidhjen e krizës aktuale politike në vend, ndryshe duke e ditur se zgjedhjet e parakohshme janë të dëmshme dhe fare të panevojshme, kësaj radhe, faji nuk mund të mbetet më –jetim, as ti adresohet dikujt tjetër, siç është bërë praktikë e ulët në Kosovë, por do t`i takojë vetëm LDK-së, bashkë me të gjitha përgjegjësitë të cilat do t`i mbajë, për stërzgjatjen e ngërçit politik e bllokadave institucionale dhe vazhdimit të problemeve akute në vend”, ka cilësuar ai.
Në fund, Qarri është ndalur edhe te qëndrimi i AAK-së dhe refuzimi i kësaj partie për të marrë pjesë në takimet e ftuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“AAK është shumë konfuze në deklarime, e cila nuk pranon as të marrë pjesë në takimet e ftuara disa herë nga Kryeministri Kurti qoftë edhe për të diskutuar për pikat e propozuara prej saj, derisa bënë propagandë shumë të zëshme e destruktive, se gjoja nuk kemi për çfarë të bisedojmë me z. Kurti duke e bërë të pamundur të kuptohet praktikisht, se cila është mënyra e të biseduarit me të parët e kësaj partie, përveçse nëse Ardian Gjini mendon në bisedime me ndërmjetësues apo mësit politik, si në sistemet e fajdeve apo format e komunikimit të skemave piramidale, të cilët më tepër mund ti përcjellin kalkulimet e tyre personale, te pala tjetër dhe anasjelltas, se sa ta transmetojnë kërkesën dhe qëndrimet reale të partive “bashkëbiseduese” gjë që e bënë pasraprakisht, të pamundshme arritjen e një marrëveshje me AAK-në, nëse ajo nuk pranon as të ulet në tavolinë me partinë fituese”, ka përmbyllur Qarri për “Bota sot”.
Burjani propozon koalicion të gjerë për tejkalimin e krizës politike
Ndërkaq, analisti politik, Blerim Burjani për “Bota sot” ka thënë se LDK-ja duhet të fokusohet në interesat e saj politike dhe nuk beson se zgjedhja e presidentit do të mund të realizohet para zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Vështirë që LDK-ja mund ta japë votën për të mbrojtur pushtetin e VV-së. Kjo as logjikë nuk ka, as politike, as kurrfarë. Prandaj, LDK-ja duhet të përcaktohet për mbrojtjen e interesave të veta, jo të partive tjera.
Pra, nuk besoj se do të ndodhë zgjedhja e presidentit përpara zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Mendoj që Abdixhiku nuk duhet të insistojë më shumë në këtë temë. Kjo çështje duhet të shihet ndryshe”, ka thënë ai.
Në vijim, Burjani ka propozuar një zgjidhje për tejkalimin e situatës aktuale politike, duke e parë një qeveri të gjerë si mundësi për konsolidimin e institucioneve dhe avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
“Nëse duhet dikush të lëshojë pe, duhet të jetë Kurti. Kjo i bie që ai duhet të bëhet bashkë me partitë tjera opozitare e të bëjë një qeveri dyvjeçare, në koalicion të gjerë, për konsolidimin e raporteve shtetërore dhe agjendën integruese evropiane.
Shteti ka nevojë për koalicion të gjerë. Duhet lënë inatet, egon dhe duhet të zgjidhet një qeveri e koalicionit të gjerë.
Në këtë situatë, presidenti duhet t’i takojë LDK-së, kryeministri i VV-së, zëvendëskryeministri PDK-së dhe AAK-ja të ketë një zëvendëskryeministër.”, ka për përfunduar Burjani për “Bota sot”.
