Lajme

Nëse partitë e nuk e mbështesin Projektligjin e PDK-së, a rrezikon Kuvendi të futet në një tjetër ngërç politik?

Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdiktin për kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.

Kushtetuesja ka konstatuar se institucionet janë formuar në përputhje me Kushtetutën, ndërsa ka përcaktuar se afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor.

Pas këtij vendimi, PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe Projektligji për Dhomat e Specializuara të jetë pika e parë e rendit të ditës.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Lidhur me këtë, analistët politikë vlerësojnë se kërkesa e PDK-së që Projektligji për Dhomat e Specializuara të jetë pika e parë e rendit të ditës duhet të trajtohet me kujdes, duke marrë parasysh afatet e ngushta për funksionalizimin e institucioneve.

Ata paralajmërojnë se mosmarrëveshjet rreth kësaj çështjeje mund të prodhojnë një tjetër ngërç politik, nëse palët nuk arrijnë të ndajnë debatin për Specialen nga funksionimi i institucioneve të Kosovës.

Jakupi: Kërkesa e PDK-së për Specialen vjen shumë vonë, 13 ditët e ardhshme janë test për partitë

Image
Analisti politik Zejnullah Jakupi

Analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kërkesa e PDK-së duhet të shihet në kontekstin e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe afatit të mbetur për përmbylljen e proceseve institucionale.

“Kërkesa e PDK-së që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të jetë pika e parë e rendit të ditës duhet të shihet në kontekstin e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe të afatit të mbetur për përmbylljen e proceseve institucionale.

Nga pikëpamja politike, është e kuptueshme që PDK-ja po kërkon që iniciativa e saj të trajtohet pa vonesa. PDK-ja e ka paraqitur këtë projektligj si një çështje prioritare, ndërsa propozimi përmban ndryshime të rëndësishme në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, në ekzekutimin e dënimeve dhe në disa kompetenca të tjera. Prandaj, nuk bëhet fjalë për një ndryshim teknik apo procedural, por për një çështje me peshë të konsiderueshme juridike dhe politike.

Në të njëjtën kohë, fakti që një subjekt politik e vendos këtë projektligj si prioritet nuk do të thotë automatikisht se partitë e tjera duhet ta votojnë në formën aktuale. Projektligji duhet të shqyrtohet për përputhshmërinë e tij me Kushtetutën, me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me vetë kornizën juridike mbi të cilën janë themeluar Dhomat e Specializuara. Pikërisht për shkak të kompleksitetit të këtyre çështjeve, edhe ekspertët juridikë kanë ngritur pikëpyetje për kufijtë e ndryshimeve të mundshme”, ka thënë ai.

Po ashtu, Jakupi ka paralajmëruar se çështja mund të shndërrohet në burim të një tjetër ngërçi politik nëse bëhet kusht për funksionimin e institucioneve.

“Sa i përket rrezikut për një tjetër ngërç politik, ai ekziston nëse çështja e Speciales shndërrohet në kusht absolut për funksionimin e Kuvendit. Nëse palët nuk arrijnë të ndajnë dy çështje – të drejtën për ta shqyrtuar projektligjin dhe detyrimin për të siguruar funksionimin e institucioneve – atëherë çdo mosmarrëveshje rreth përmbajtjes së projektligjit mund të reflektohet në proceset e tjera institucionale.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas PDK-së, kanë mbetur vetëm 13 ditë për të përmbyllur disa procese, përfshirë zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”, ka shtuar ai.

Sipas tij, shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që afati i mbetur të konsumohet në përplasje politike, në vend që të shfrytëzohet për arritjen e marrëveshjeve institucionale.

“Skenari më shqetësues nuk është thjesht që një projektligj të mos miratohet. Skenari më problematik do të ishte që 13 ditët e mbetura të shpenzohen në një përplasje të re politike, pa marrëveshje për çështjet themelore institucionale. Në një situatë të tillë, vendi do të përballej përsëri me pasiguri politike dhe me mundësinë që proceset kushtetuese të mos përmbyllen brenda afatit.

Prandaj, në këtë fazë, përgjegjësia kryesore e të gjitha partive është që debati për Dhomat e Specializuara të zhvillohet në Kuvend, me argumente juridike dhe politike, por pa u shndërruar në pengesë për funksionimin e institucioneve. Edhe nëse nuk ekziston pajtim për tekstin e propozuar nga PDK-ja, duhet të ekzistojë një mekanizëm politik për ta trajtuar atë çështje dhe, paralelisht, për të mos lejuar që mosmarrëveshja të prodhojë një ngërç të ri institucional”, ka potencuar Jakupi.

Gjithashtu, analisti ka ngritur kritika edhe për kohën kur është ndërmarrë iniciativa e PDK-së për Dhomat e Specializuara, duke vënë theksin te nevoja për funksionalizimin e institucioneve.

“Në thelb, 13 ditët e ardhshme janë një test për aftësinë e aktorëve politikë për të gjetur kompromis. Çështjet e diskutueshme mund të mbeten objekt debati, por funksionimi i institucioneve duhet të jetë i ndarë nga ky konflikt politik.Qëndrimi dhe iniciativa e PDK-së për këtë çështje vijnë shumë vonë. Kjo ngre pikëpyetje serioze, sepse PDK-ja, as në kohën kur Hashim Thaçi ishte në krye të saj dhe u miratua themelimi i Dhomave të Specializuara, e as sot përmes pasardhësve të tij politikë, nuk ka arritur të ndërtojë një kauzë të qartë dhe të qëndrueshme lidhur me këtë çështje.

Në këtë fazë, mendoj se prioriteti duhet të jetë funksionalizimi dhe konsolidimi i institucioneve të Kosovës. Është shumë më e rëndësishme që partitë politike të fokusohen në krijimin e institucioneve funksionale dhe në zgjidhjen e ngërçit aktual politik. Pastaj, brenda institucioneve dhe përmes procedurave kushtetuese e ligjore, mund të ndërmerren edhe iniciativa të tjera.

Nuk mendoj se është në interesin e vendit që një iniciativë e vonuar për Dhomat e Specializuara të shndërrohet në një tjetër burim përplasjeje politike, sidomos në një moment kur Kosova ka nevojë për stabilitet dhe funksionalitet institucional”, ka përmbyllur Jakupi për “Bota sot”.

Mehmeti: Kërkesa e PDK-së për Specialen është e kushtëzuar, Kuvendi nuk duhet të bllokohet

Ndërsa, analisti politik Gani Mehmeti, për “Bota sot”, ka deklaruar se kërkesa e PDK-së për ta vendosur këtë çështje në krye të rendit të ditës është e kushtëzuar.

“Kërkesa pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e PDK që Projektligji për Dhomat e Specializuara të jetë pika e parë e rendit të ditës së Kuvendit të Kosovës, disi është një kërkesë e kushtëzuar, për çka nuk do duhej të bëhej si e tillë. Do të mjaftonte që kërkesa të hyjë në rend dite të Kuvendit, pa u nisur se në cilën pikë të rendit të ditës. Unë mendoj se do të mjaftonte të shqyrtohej e të bisedohej për këtë kërkesë, pa u lëshuar në atë se do duhej të aprovohej si kërkesë për ndryshimin e kësaj gjykate apo jo.

Kërkesat në kuvend për çështje të ndryshme, si edhe për këtë, për të cilën është fjala, edhe kur bëhet, nuk është e arsyeshme të hatrohet partia ose njerëzit që e shtrojnë kërkesën. Ajo shtrohet për t’u diskutuar, nëse kalon- në rregull, por edhe nëse nuk kalon duhet të jetë në rregull e të mos ketë ndikim në kuvend për aprovimie të kërkesave të ndryshme, e assesi të ketë pasoja kur është fjala për çështje madhore për shtetin dhe kërkesa ndërkombëtare. Shteti, vendi, atdheu e populli duhet të jenë në përparësi, madje më përpara se çdo individ dhe i çdo rangu a niveli qoftë ai”, ka vlerësuar ai.

Image
Gani Mehmeti

Tutje, Mehmeti ka theksuar se PDK-ja duhet të mbetet bashkëpunuese me Kuvendin, edhe nëse kërkesa e saj nuk miratohet.

“Me këtë themi se, edhe po qe se nuk aporvohet kërkesa e PDK, në mbështetje të Projektrezoëutës, ajo (PDK) duhet të mbetet bashkëpunuese me organet e Kuvendit dhe të mos ketë pasoja në çështjet madhore të shtetit.

Mirëpo, duke njohur PDK-në, mund të rrezikohet e të hyjë në një ngërç tjetër Kuvendi i Kosovës, për çka do të ishte tejet fatale për vendin”, ka shtuar ai.

Në fund, ai  ka paralajmëruar se ditët në vijim janë të rëndësishme për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.

“Skenari më shqetësues do të ishte, nëse këto ditë kalojnë pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës dhe institucioneve tjera të Kosovës.

Kosova do të humbiste shuma të mëdha nga Bashkimi Europian, përveç humbjeve të tjera në mungesë të institucioneve”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Të Ngjashme