Raportimi i gazetarit të Euronews Albania, Ardit Hoxha, hedh dritë mbi rrethanat që i paraprinë plagosjes me plumb gome të deputetit demokrat Kliti Hoti gjatë protestës së kësaj të diele në Tiranë.
Sipas gazetarit, përdorimi i armës u parapri nga një komunikim verbal mes efektivit të policisë dhe dy përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Shyqyri Myrtollari, i cili shoqëronte deputetin Hoti, po u kërkonte llogari efektivëve për arrestimet e të rinjve gjatë protestës. Të njëjtën gjë po kërkonte edhe deputeti demokrat.
Sipas raportimit të Hoxhës, efektivi fillimisht tentoi të qëllonte drejt Myrtollarit, por u pengua nga kolegët e tij. Në një moment të dytë, polici u shkëput nga kolegët dhe qëlloi në drejtim të deputetit Hoti, nga një distancë prej 20–25 metrash, duke e goditur në shpinë.
E në qoftë kështu, atëherë rrethanat e ngjarjes, tashmë më të plota, japin një perspektivë tjetër edhe të kualifikimit ligjor të ngjarjes. Në këtë situatë, del në pah diçka shumë e rëndësishme në planin juridik: efektivi i policisë me dashje ka qëlluar. Dhe ky element e inkuadron ligjërisht sjelljen e tij si një tentativë për vrasje, duke patur parasysh lartësinë e trupit ku është goditur deputeti, afërsinë e qitjes dhe faktin se pasojat nuk kanë ardhur thjesht prej një faktori të jashtëm, siç ishte reagimi instinktiv i deputetit jetëgjatë.
Gazetari e ka përshkruar sjelljen e efektivit si një mosmbajtje nën kontroll të nervave.
Kjo dëshmi i jep një dimension tjetër ngjarjes. Komunikimi verbal që i parapriu goditjes ngre dyshime të forta se efektivi e kishte identifikuar deputetin përpara se të qëllonte. Po ashtu, distanca dhe fakti që Hoti u godit në shpinë vënë seriozisht në pikëpyetje ekzistencën e ndonjë rreziku që do të justifikonte përdorimin e armës për vetëmbrojtje.
Raportimi shpjegon edhe pamjet ku kolegët e efektivit ndërhyjnë duke e tërhequr prej krahësh.
Pas kësaj dëshmie, bëhet domosdoshmëri jo vetëm një hetim i plotë penal mbi veprimet e efektivit, por edhe bërja publike e planit të masave të Policisë së Shtetit për menaxhimin e protestës, veçanërisht e dispozitave që rregullojnë përdorimin e forcës dhe të armëve.
Kush e kishte autorizuar pajisjen e efektivëve me armë për hedhjen e plumbave të gomës? Çfarë udhëzimesh kishin marrë ata për përdorimin e tyre? Kush mbikëqyrte zbatimin e këtyre udhëzimeve dhe respektimin e parimeve të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të forcës?
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, nuk mund të fshihet pas gishtit të një polici nevrik që tërhoqi këmbëzën. Përgjegjësia penale individuale e efektivit nuk përjashton hetimin e përgjegjësisë së zinxhirit komandues për planifikimin, organizimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e operacionit policor. Pikërisht këtë duhet të sqarojë prokuroria dhe ndoshta edhe SPAK. Sepse të qëllosh me qëllim një deputet të paarmatosur nuk është më shkelje e urdhrit administrativ, por tentativë për vrasje.
