Vetëm pesë minuta zgjati përballja mes boksierit shqiptar Nelson Hysa dhe gjermanit Agit Kabayel, por shifrat e raportuara për përfitimet financiare të dy sportistëve janë marramendëse.
Sipas raportimeve, Agit Kabayel ka arkëtuar deri në 7 milionë euro nga dueli i zhvilluar në Dyseldorf, ku mbrojti titullin kampion bote në peshat e rënda në versionin WBC.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, pagesa bazë e Kabayel ishte rreth 3.6 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave erdhi nga shitja e biletave dhe transmetimet me pagesë (Pay-Per-View). Boksieri përfitoi mbi 60% të këtyre të ardhurave.
Ndërkohë, për shqiptarin Nelson Hysa, sipas të dhënave të publikuara nga “Pursue Payouts”, pagesa bazë raportohet të ketë qenë rreth 450 mijë euro.
Përballja u zhvillua në stadiumin e Dyseldorfit, përpara rreth 53 mijë tifozëve. Hysa u detyrua të dorëzohej në raundin e dytë për shkak të një dëmtimi në krahun e djathtë, duke pësuar humbjen e parë në karrierën e tij profesioniste, pas 25 fitoresh radhazi.
Kabayel, nga ana tjetër, ruajti titullin e kampionit të botës dhe përmirësoi rekordin e tij në 28 fitore pa asnjë humbje.
