Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nga lëvizja e votuesve, te mbushja e kutive, skema si Vuçiç manipuloi zgjedhjet; OSBE dhe BE japin alarmin

 
   

Beogradi duket se është “ndezur flakë” pas zgjedhjeve të së dielës. Aleksandër Vuçiç fitoi edhe një herë, por opozita nuk e pranon rezultatin. Që dje kanë nisur protestat dhe greva e urisë. Shumë prej partive opozitare pretendojnë se zgjedhjet u manipuluan

Sipas mediave serbe, skema që u përdor për të ndryshuar rezultatin është ajo e lëvizjes së votuesve. Me qindra autobusë me qytetarë janë parë në Beograd, ku përmes tyre janë sjellë votues nga vende të ndryshme për të votuar në kryeqytet. Po ashtu ka pasur mbushje të kutive të votimit dhe votime në grup, ko të paktën si pas opozitës.

Autobusë me votues të shumtë kanë shkuar në Serbi edhe nga Kosova.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ia lejojë të mbahen zgjedhjet serbe në komunat e Kosovës dhe për këtë kishte edhe kushte të cilat Serbia nuk i pranoi.

Vetë OSBE nxori sot raportin paraprak dhe deklaroi së kishte shumë parregullsi. “Çdo përpjekje për të manipuluar fushën e lojës është shkak për shqetësim dhe cënon rezultatin. Mendoj se kemi qenë shumë të qartë në raportimin tonë. Nuk ishte një lojë e drejtë”, deklaroi Farah Karimi, vëzhguese e OSBE-së.

Ndërkohë një reagim i fortë ka ardhur dhe nga Brukseli. Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Serbisë t’i shqyrtojnë në mënyrë transparente raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Përmes një deklarate të përbashkët për media, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë se në mesin e parregullsive gjatë zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, përfshihen edhe ato të raportuara në kryeqytetin serb, Beograd dhe komuna të tjera.

“Ne marrim parasysh gjetjet preliminare dhe konluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për zgjedhjet parlamentare serbe. Në dritë të këtyre gjetjeve, me shqetësim ne vijmë në përfundim se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”, u tha në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varheyit.

Dy zyrtarët e lartë evropianë i bënë thirrje udhëheqjes politike serbe që të sigurojë një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjithë spektrin politik.