Lajme

Nga ministrat te ‘Ujqërit e Natës’: Kush iu bashkua varrimit të kriminelit të dënuar Ratko Mlladiq në Beograd

Dje, në Beograd u zhvillua varrimi i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë. Në ceremoninë e përcjelljes së tij morën pjesë zyrtarë të lartë të Serbisë, përfaqësues të udhëheqjes së Republika Srpskës, figura të Kishës Ortodokse Serbe, veteranë lufte dhe grupe të së djathtës ekstreme.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, udhëhoqi ceremoninë fetare, ndërsa në varrim ishte edhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Presidenti kishte deklaruar më herët se nuk do të merrte pjesë për shkak të një takimi të planifikuar me presidentin e Uzbekistanit.

Gjashtë ministra të Qeverisë së Serbisë në varrim

Sipas fotografive dhe pamjeve të publikuara, në varrim morën pjesë gjashtë ministra të Qeverisë së Serbisë, që përbëjnë rreth një të pestën e kabinetit qeveritar.

Në mesin e tyre ishin ministri i Drejtësisë Nenad Vujiq, ministri i Mbrojtjes Bratislav Gashiq, ministrja e Punës Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, ministri i Kulturës Nikola Selakoviq dhe ministri për Investime Publike Darko Gllishiq. I pranishëm ishte edhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq.

Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe Aleksandar Vulin, ish-ministër në Qeverinë e Serbisë dhe anëtar i Senatit të Republika Srpskës. Po ashtu, aty ishte edhe deputeti dhe lideri i Novi DSS-së, Miloš Jovanoviq.

Udhëheqja e Republika Srpskës në Beograd

Në varrimin e Mlladiqit ishte edhe një pjesë e rëndësishme e udhëheqjes politike të Republika Srpskës.

Në Beograd udhëtuan anëtarja e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Željka Cvijanoviq, lideri i SNSD-së, Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpskës, Siniša Karan, kryeministri i këtij entiteti, Savo Miniq, si dhe kryetari i Banjallukës, Draško Stanivukoviq.

Nga Mali i Zi në varrim morën pjesë edhe përfaqësues të partive prosërbe, përfshirë Partinë Demokratike Popullore të Milan Kneževiqit dhe Slobodna Crna Gora të Vladislav Dajkoviqit.

Patriarku Porfirije: Emri i Mlladiqit do të mbetet në kujtesë

Ceremonia fetare u udhëhoq nga patriarku Porfirije, i shoqëruar nga peshkopë të tjerë. Arkivoli i Mlladiqit ishte mbuluar me flamujt e Serbisë dhe Republika Srpskës.

Gjatë ceremonisë, Porfirije tha se emri i të dënuarit nga Tribunali i Hagës do të mbetet i pranishëm në kujtesën dhe lutjet e një pjese të madhe të popullit serb dhe ortodoks.

Në varrim mori pjesë edhe Veselin Shljivançanin, i dënuar nga Tribunali i Hagës, i cili kishte vuajtur 10 vjet burg për krimet në Ovçara të Kroacisë.

Nga “Beretat e Kuqe” te “Ujqërit e Natës”

Një rol të dukshëm në ceremoni patën veteranët e Ushtrisë së Republika Srpskës dhe organizata të ndryshme të veteranëve nga Serbia. Në mesin e tyre ishin edhe pjesëtarë të njësive speciale policore, shoqatës “Heronjtë e Košarës” dhe veteranë të “Beretave të Kuqe”.

Në hyrje të kishës u vunë re edhe pjesëtarë të klubit rus të motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”, organizatë e cila ndodhet nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të ngushta me Vladimir Putinin dhe mbështetjes për pushtimin e Ukrainës.

Në mesin e figurave të ekstremit të djathtë të pranishme në varrim ishin edhe Miša Vaciq, lider i “Srpska Desnica”, dhe Goran Davidoviq Firer, drejtues i organizatës neonaziste të ndaluar “Nacionalni Stroj”.

Për çfarë u dënua Ratko Mlladiqi?

Ratko Mlladiqi u dënua nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje dhe dëbim të dhunshëm të popullsisë, terrorizim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe pengmarrje të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së.

Në vitin 2021, ai u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiqi ishte përgjegjës për gjenocidin ndaj rreth 8 mijë boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995. /REL

Të Ngjashme