Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka nxitur reagime të ashpra pas një deklarate të bërë në një intervistë për një medium serb, ku ka shprehur një qëndrim me përmbajtje të rëndë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Në deklaratën e saj, Paunoviq ka thënë: “Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.”
Kjo deklaratë është cilësuar si nxitëse dhe kërcënuese, duke u vlerësuar si rikthim i retorikës së viteve ’90. Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, ka thënë se deklarata e ministres serbe nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një gjuhe të vazhdueshme urrejtjeje, racizmi dhe ksenofobie nga zyrtarë të lartë të Serbisë.

Refik Hasani
Ai ka përmendur edhe deklarata të mëhershme, përfshirë atë të ish-kryeministres dhe kryetares aktuale të Parlamentit serb, Ana Brnabiq, si dhe pankarta me mesazhe kërcënuese ndaj shqiptarëve.
“Deklarata e Snezhana Paunoviq, ministre në Qeverinë e Serbisë, nuk është e para nga një zyrtare e lartë që bën një ofendim të rëndë dhe përdor një gjuhë me plot urrejtje, racizëm dhe ksenofobi. Në Serbi, gjithnjë e më shumë po hasen dhe janë shkruar pankarta me mbishkrime publike, ku shprehet gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e hapura ndaj neve shqiptarëve. Edhe deklarata më të rënda ofenduese është publikuar së fundi nga Ana Brnabiq, ish-kryeministre (në dy mandate) e Serbisë dhe aktualisht kryetare e Parlamentit të Serbisë, e cila ka thënë: ‘Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim’. Kurse mbishkrimet dhe pankartat si: ‘Vdekje shqiptarëve’, ‘Shqiptarët do t’i vrasim’, nuk janë shfaqur vetëm nga qytetarë apo OJQ, por përbëjnë një gjuhë dhe nxitje të urrejtjes e kërcënimit, jo vetëm kundër shtetit të Republikës së Kosovës, por edhe kundër gjithë shqiptarëve”, ka thënë Hasani.
Gjithashtu, Hasani ka deklaruar se retorika e zyrtarëve dhe institucioneve serbe po rikthen diskursin e viteve ’90, duke e cilësuar atë si një alarm dhe mesazh kërcënues për shqiptarët dhe stabilitetin në rajon.
“Jo vetëm deklarata e Snezhana Paunoviq, ministre në Qeverinë e Serbisë, por edhe deklaratat nga Ana Brnabiq, kryetare e Parlamentit të Serbisë, si dhe shumë deklarata nga krerët më të lartë të ushtrisë, policisë, duke mos harruar edhe universitetet shtetërore, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Kishën Ortodokse Serbe, vazhdojnë ta ushqejnë popullin serb me një retorikë të viteve 1990-ta. Kjo është një sinjalizim i bazuar, është alarm nga i njëjti diskurs serb i viteve 1990-ta. Është një mesazh i hapur kërcënues për një luftë të re dhe për dominim në këto hapësira shqiptare”, ka theksuar ai.
Më tej, Hasani ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të ndryshojë qasjen ndaj Serbisë dhe të mos e favorizojë atë pa u përballur me përgjegjësinë për krimet e së kaluarës.
Në fund, ai ka potencuar se deklaratat e fundit përbëjnë gjuhë urrejtjeje dhe kërkoi që BE-ja të reagojë me masa konkrete ndaj zyrtarëve serbë.
“Nga Bashkësia Ndërkombëtare, uroj që deri më tani të ndryshojë qasja e ndërkombëtarëve në raport me Serbinë dhe që Serbia të mos privilegjohet e të mos favorizohet askund, në asnjë instancë të BE-së apo mekanizëm tjetër ndërkombëtar, duke përfshirë edhe OKB-në, pa kërkuar falje për viktimat, për pastrimin etnik, dëbimin dhe gjenocidin në Kosovë, Bosnjë dhe në gjithë hapësirat e ish-RSFJ-së.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, bazuar në të gjitha aktet, konventat dhe traktatet si instrumente ndërkombëtare, ndalohet çdo propagandë për luftë, si dhe çdo thirrje për urrejtje kombëtare, racore ose fetare, që përbën nxitje për diskriminim, armiqësi ose dhunë. Serbia, në këtë mënyrë, vazhdon të promovojë përhapjen e ideve të bazuara në superioritetin racor, nxitjen e urrejtjes raciale dhe nxitjen e dhunës kundër grupeve racore ose etnike.
BE-ja do të duhej të dënonte, përmes një rezolute detyruese, deklaratën e Snezhana Paunoviq, ministre në Qeverinë e Serbisë. BE-ja do të duhej të kërkonte zyrtarisht nga Serbia që Parlamenti dhe Qeveria e saj të distancohen nga kjo deklaratë. Nëse Parlamenti dhe Qeveria e Serbisë nuk distancohen nga kjo deklaratë, Serbia do të duhej të sanksionohej në baza financiare dhe në aspektin diplomatik.
Është momenti i fundit që BE-ja, për deklaratën e Snezhana Paunoviq, të obligojë dhe detyrojë që të ndiqet penalisht ministrja e Qeverisë së Serbisë për thirrje publike për pastrim etnik, nxitje të luftës, urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë. Ajo do të duhej të shpallej non grata nga BE-ja dhe SHBA-ja”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.
